2 mijë kosovarë u strehuan në Fishtë, sot u mboll një fidan i Kosovës dhe u krijua instalacioni ‘Streha’ (FOTO)

17 Shkurt, 2022 - 4:59 pm

Artisti Bib Frrokaj së fundmi ka krijuar një instalacion monumental në të njëjtin vend ku u krijua kampi në fund të muajit maj 1999 me shqiptarë të vendosur në Fishtë dhe në Krajën. Ky instalacion i shoqëruar me foto dhe dokumente të asaj kohe në përmbajtje ka një pemë mani të mbjellur brenda veprës, pemë kjo që është sjellë nga shqiptarët e Kosovës, përcjell KultPlus.

Kur atëherë ishin strehuar 2 mijë kosovarë, tani është krijuar edhe instalacioni i veçantë dhe mjaft simbolik për të dëshmuar se edhe pse viti 1999 ishte një vit i trishtë, historia e Kosovës përherë do të kujtohet.

“Streha” titullohet instalacioni me një strukturë të brishtë e stoike njëherësh, minimaliste por e mjaftueshme në “funksionin” e saj parimor mbrojtës, ku vëllimi i saj arkitekturor na ofron në kuptimin e plotë të fjalës një hapësirë ndërvepruese mes veprës dhe vizitorit. Kur themi shtëpi, ajo nënkupton strehë, strehim: të qenurit i strehuar, të qenurit i mbrojtur. Na kujton një nga virtytet më të mëdha të popullit tonë shqiptar: mikpritjen, të cilën e ka dëshmuar në jo pak raste kyçe të historisë.

Me të drejtë A. Degrand Jules do thoshte: “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Si rrjedhojë, ky instalacion ngrihet pikërisht mbi këto shtylla virtyti në shenjë mirënjohjeje e falënderimi të një gjesti bujar, si ai që iu bë shqiptarëve të Kosovës nga Shoqatat e Fondacionet e ndryshme humanitare të huaja në Fishtë dhe në gjithë Shqipërinë, po ashtu dhe nga gjithë ato shqiptarë që hapën dyert e shtëpive dhe zemrat e tyre. Streha tenton të mbetet një përkujtimore e atij kampi të përkohshëm që u ngrit në pranverën e vitit 1999 pikërisht këtu dhe ka për qëllim të krijojë një semiotikë lidhëse mes kujtesës së tanishme dhe fakteve të pamohueshme të së kaluarës.

Streha në vendlindjen e figurave të mëdha historike si At Gjergj Fishta, synon të bëhet pikërisht strehë e këtyre vlerave, përtej përkatësive fetare, ngjyrimeve politike e kombësie. Ajo është një kulm-strehë për familjen e madhe të ndarë padrejtësisht.

Më poshtë KultPlus ju sjell informacione lidhur me këtë instalacion si dhe kampeve të krijuara në Fishtë dhe Krajën:

Historiku

Në harkun kohor 1998-1999, gjatë luftës në Kosovë ndodhi eksodi i madh i shqiptarëve të Kosovës ku rreth 1 milionë prej tyre u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni. Të dëbuarit ishin kryesisht fëmijë, gra dhe të moshuar. Eksodi i shqiptarëve të Kosovës i gjeti shqiptarët e Shqipërisë në vetvete të sapodalë nga 40 e ca vjet diktaturë e egër dhe nga konflikti civil i 1997-s që i kishte dërrmuar ekonomikisht dhe politikisht.

Nuk ishin në gjendje t’i strehonin shqiptarët e Kosovës aq sa ishte e nevojshme, por me ndihmën e organizatave të ndryshme humanitare u bë e mundur strehimi i tyre. Pati gjithashtu shumë raste të shqiptarëve të thjeshtë që hapën dyert e shtëpive të tyre. Me 27 Mars 1999 Kukësi ishte i pari qytet që hapi dyert duke pritur fluksin e madh të eksodit të shqiptarëve të dëbuar.

Më pas u strehuan në shumë qytete të tjera të Shqipërisë. Në fund të muajit Maj të po atij viti një pjesë të konsiderueshme (rreth 2300 persona) u strehuan në kampet e ngritura në Fishtë dhe Krajën të mbështetura nga INTERSOS, Komuna e Milanos – Mbrojtja Civile – Misioni Arcobaleno, banorët e Avezzano-s, etj.

Kampet në Fishtë dhe Krajën

Në fund të muajit Maj 1999 dy kampe me shqiptarë u vendosën në Fishtë dhe tjetri në Krajën. Më shumë se gjysma prej tyre ishin fëmijë, madje gjashtë fëmijë patën lindur gjatë qëndrimit në kamp. Kampi në Fishtë ishte më i madhi me 1330 banorë. Mbështetej dhe menaxhohej nga INTERSOS dhe Misioni Arcobaleno. Brenda kampit kishte hapësira të ndryshme funksionale si kuzhinë, magazinë, shkollë e improvizuar, dushe, hapësira për argëtim, etj.

Ndërsa Kampi i Krajnit që ndodhej më në veri, ngrihej në Fangun e Krajnit pranë Kishës Katolike dhe ishShkollës së Mesme Profesionale dhe kishte 970 banorë. Ky kamp ishte nën kujdesin e Don Antonio Sciarra. Financohej nga Komuna e Milanos – Mbrojtja Civile, populli i Avezzano-s (qyteti i lindjes së Don Antonios) dhe zona të tjera të Italisë. Don Antonio ka ndjekur dhe menaxhuar me kujdes duke dokumentuar zhvillimin e ngjarjeve në kamp përmes fotografive.

Fotot nga arkiva e Don Antonio-s janë të ekspozuara tek instalacioni “Streha” ashtu siç kanë qenë të ruajtura në albumin e tij përsonal të marrë në “Shtëpinë Rozalba” (asokohe Qendra Rinore Gjadër).

Historia e Lavdies

Tregonte Don Antonio Sciarra “Lavdien për herë të parë e takova në kufirin Shqipëri – Kosovë. Më afrohet këmbëzbathur me një përkthyes që më thotë se Lavdia do një palë këpucë. E shoh me çudi sepse ajo i kishte një palë këpucë në dorë, ndaj e pyes: ç’të duhen këpucët përderisa i ke? Këto këpucë janë i vetmi kujtim i familjes sime pasi janë të lara me gjakun e nënës time e unë do i ruaj kështu siç janë.

Pasi u kanë djegur shtëpinë e fshatin ku banonte familja e Lavdijes, kanë ekzekutuar babain e saj bashkë me meshkujt e tjerë të fshatit. Nëna e Lavdijes ndërsa përpiqej të shpëtonte bashkëshortin, plagoset. Udhëtojnë drejt Shqipërisë, por nëna nga plagët e marra vdes në krahët e së bijës. E detyruar të vazhdojë udhëtimin, Lavdija merr me vete këpucët e së ëmës të mbushura me gjakun e saj, i vetmi kujtim nga nëna.

Don Antonio e sjell Lavdijen e disa familjarë të tjerë të saj të jetojnë në Zadrimë, në fshatin Gjadër. Don Antonio së bashku me Ambasadorët e Paqes, bënë një sërë udhëtimesh në Shqipëri e Itali për të treguar historitë e tyre. / KultPlus.com

Të ngjajshme