20 vite nga vrasja e intelektualit Xhemail Mustafa

23 Nëntor, 2020 - 1:38 pm

Xhemail Mustafa, gazetar, politikan, publicist, shkrimtar shqiptar dhe këshilltar politik i presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës, u vra mizorisht në Prishtinë në hyrje të apartamentit të tij ku u qëllua për vdekje nga dy sulmues të cilët kurrë nuk u arrestuan.

Vrasja e tij tronditi Kosovën e pas luftës dhe mbetet një nga çështjet e pa zgjidhura dhe më misterioze që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë.

Xhemail Mustafa lindi në fshatin Gllamnik të Komunës së Podujevës. Shkollën fillore dhe atë të mesme e kreu në vendlindje, ndërsa diplomoi për gazetari në Universitetin e Prishtinës. Nga fundi i viteve 70-ta punoi në gazetën Rilindja si redaktor i kulturës  dhe më pas në vitin 1992, punoi në Qendrën e Informimit të Kosovës (QIK) deri në fund të jetës se tij ku dha kontribut të jashtëzakonshëm.

Kolegët e kujtojnë Xhemailin si njeri me vlera të larta intelektuale dhe guximin e tij në vitet e luftës në Kosovë. Gjatë viteve të 90-ta ishte një nga antarët e parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa,  nga viti 1997 e deri ne vitin 2000 kur u vra, shërbeu si këshilltar i lartë politik i presidentit të Kosovës Dr.Ibrahim Rugova dhe zëdhënës për media. Xhemail Mustafa ishte i përndjekur politikisht nga UDBA që më vonë ky shërbim famëkeq u njohë me emrin BIA. Në vitin 1999 si gazetar kishte denoncuar pushtetin serb për krimet çnjerëzore, ai morri pjesë edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2000 duke marrur shumë vota. I shpëtoi luftës dhe përndjekjes policore dhe ushtarake dhe aktivitetet i vazhdoi duke u bërë edhe anëtar i kryesisë LDK-së ku u dallua si intelektual i shquar dhe një nga figurat më të spikatura të kësaj partie. Po ashtu Xhemaili është i njohur edhe si autor në vitin 1999 botoi edhe veprën e tij me titull “Një lutje për Prishtinën”.

Xhemail Mustafa u vra më 23 nëntor 2000 në Prishtinë. Deri sa po hynte në banesën e tij ai u qëllua për vdekje me armë zjarri nga dy persona ku si pasojë të plagëve të marra vdiq në kliniken spitalore. Ai ndërroi jetë në moshën 47 vjeçare, la pas gruan dhe fëmijët e tij. Në rastin e vrasjes së tij u mbajt ditë zije dhe shumë njerëz e politikanë, familjes së tij i shprehen ngushëllime. Vrasja e Mustafes ishte vrasja e tretë politike e pas luftës së Kosovës dhe tronditi skenën politike e cila si shumë vrasje të pas luftës së Kosovës mbeti e pa zgjidhur. Kjo ishte vrasja e tretë e intlektualeve të shquar që shumica ishin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, autorët e të cilëve ende nuk janë kapur. Në vitin 2014 familjarë të Xhemail Mustafes kërkuan me ngulm zbardhjen e rastit dhe kapjen e kësaj vepre makabër e cila tronditi vendin i cili sa po kishte dalur nga lufta. / KultPlus.com

Të ngjajshme