200 profesorë në SHBA kundërshtojnë shpalljen e Grenellit anëtar nderi: “dëmton integritetin akademik”

26 Qershor, 2020 - 11:08 am

Afro 200 profesorë dhe punonjës të Universitetit Carnegie Mellon (CMU) në Pitsburgh, kanë bërë thirrje që të anulohet shpallja e ish-ambasadorit të SHBA-së në Berlin, Richard Grenell, si anëtar nderi, duke thëne se “kjo do të dëmtojë integritetin akademik të CMU-së”, ka shkruar “Pittsburgh Post Gazette”.

Në një letër të hapur nisur udhëheqësit të universitetit, Farnam Jahanian dhe administratës, nënshkruesit kundërshtojnë këtë veprim për shkak historisë e Grenellit, që sipas tyre “ka lidhje me grupet ekstremiste e homofobe” si dhe “histori të përkrahjes së seksizmit e përkrahjes të lëvizjeve raciste politike”.

Grenell është i dërguar i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë edhe për dialogun Kosovë – Serbi.

Ata kundërshtojnë mënyrën se si u shpall anëtar nderi në institutin e CMU-së për Politikë dhe Strategji nga drejtori i këtij fakultetit dhe kundërshtojnë edhe arsyetimin e tij se është liri akademike që një fakultet të shpallë dikë anëtar nderi pa u konsultuar me të gjithë në universitet, transmeton KOHA.

Zyrtarët e Universitetit kanë thënë se Grenell do të sjellë një ”kuptim unik” të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të Evropës së re dhe do të zgjerojë perspektivat e studentëve.

Grenell ka shërbyer si shërbyes civil dhe diplomat gjatë administratave të George W. Bush dhe Donald Trumpi. Së fundi, ka qenë ambasador i SHBA-së në Gjermani dhe ka shërbyer tetë vite si zëdhënës i SHBA-së në OKB.

Letra ku kundërshtohet shpallja e Grenellit si anëtar nderi është nënshkruar nga shumë fakultete, profesorë dhe punonjës të këtij universiteti. / KultPlus.com

Të ngjajshme