20,000 Euro donacion për kompletimin e sallës së lindjes për gratë me Covid-19

22 Shtator, 2020 - 12:30 pm

Këto kohë të paprecedent i gjejnë institucionet tona në nevojë për pajisje të ndryshme mjekësore dhe medikamente, sidomos për gratë shtatzëna, nevojë kjo e përmbushur kësaj here nga AMC në bashkëpunim me Bankën Raiffeisen në Kosovë.

32 lloje të pajisjeve dhe barërave janë dorëzuar sot në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në vlerë prej rreth 20,000Euro. Të gjitha këto pajisje janë të dedikuara për kompletimin e sallës të operacionit dhe sallës të lindjes për gratë shtatzëna të infektuara me COVID-19..

Prezent në dorëzimin e këtij donacioni ishin stafi i AMC-së, Zv. Ministri i Shëndetësisë Pjetër Ndou, dhe përfaqësues nga Raiffeisen Bank.

”Ne jemi jashtëzakonisht falënderues ndaj Raiffeisen Bank, të cilët çdoherë janë shprehur të gatshëm të na ndihmojnë në përmbushjen e misionit tonë. Sikurse viteve të kaluara, AMC vazhdon të qëndrojë pranë nënave dhe fëmijëve duke u munduar që me punën tonë të ndihmojmë personelin shëndetësor, që vazhdojnë të bëjnë punë të jashtëzakonshme, edhe në këto kohë shumë të vështira për sistemin shëndetësor” u deklarua Vlorian Molliqaj, Drejtor Ekzekutiv i fondacionit Action for Mothers and Children.

Iliriana Toci, nga Raiffeisen Bank Kosovë me rastin e donacionit tha se: ”Jemi shume te lumtur si Raiffeisen Bank Kosovë, që në vazhdimësi bashkëpunojmë me fondacionin Action for Mothers and Children, që përmes projekteve dhe donacioneve tona të qëndrojmë afër nevojave të nënave dhe fëmijëve.”

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë – Jakup Ismajli dhe Pjetër Ndou, Zëvendës Ministër i Shëndetësisë, u shprehën shumë të lumtur për këtë donacion, dhe falënderuan AMC-në edhe për donacionet e tjera paraprake. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme