22 Korrik, 2025 - 10:15 am
Sot, më 22 korrik, shënohet Dita Botërore e Trurit, një nismë ndërkombëtare që synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e shëndetit të trurit dhe sfidat që lidhen me sëmundjet neurologjike.
Kjo ditë globale e kujdesit shëndetësor organizohet për të 12-in vit radhazi nga Federata Botërore e Neurologjisë (WFN), dhe këtë vit vjen me një fushatë historike të titulluar “Shëndeti i trurit për të gjitha moshat”. Qëllimi është i qartë: të theksohet rëndësia e mbrojtjes së trurit gjatë gjithë ciklit të jetës, nga fëmijëria e deri në moshën e tretë.
Federata Botërore e Neurologjisë ka përçuar pesë mesazhe kyçe për këtë Ditë Botërore:
Ndërgjegjësimi – Sëmundjet neurologjike janë shkaku kryesor i jetës me aftësi të kufizuara dhe shkaku i dytë i vdekjeve në mbarë botën.
Edukimi – Kujdesi për trurin duhet të nisë që në moshë të hershme dhe të vazhdojë gjatë gjithë jetës.
Parandalimi – Një mënyrë jetese e shëndetshme, aktiviteti fizik, ushqimi i balancuar, gjumi cilësor dhe menaxhimi i stresit janë faktorë kyç në parandalimin e çrregullimeve neurologjike.
Aksesi – Kujdesi neurologjik duhet të jetë i barabartë për të gjithë, pa dallim statusi social apo ekonomik.
Ndikimi – Politikat globale për shëndetin e trurit duhet të përfshijnë parandalimin, diagnozën e hershme dhe trajtimin e drejtë për çdo individ.
Në një botë ku sëmundjet neurologjike si demenca, epilepsia, sëmundja e Parkinsonit dhe goditjet cerebrale prekin miliona njerëz çdo vit, kjo ditë është një thirrje e fortë për më shumë vëmendje, edukim dhe investim në shëndetin e trurit./KultPlus.com