22 vjet nga ‘Krahina Autonome e Korçës’

10 Dhjetor, 2021 - 11:15 pm

Një kronikë në kohën e mbretërisë, sjell të pasqyruar në gazatën lokale “Gazeta e Korçës”, kremtimin e 22-vjetorit të “Karahinës Autonome të Korçës”, më 10 dhjetor 1936.

“….Midis një entusiazmi të kulluar popullor dhe manifestimesh patriotike të nxehta u kremtua pardje të shtunën, festa kombëtare e 10 Dhjetorit, e lidhur aq ngushtë me emrin e dëshmorit të madh Themistokli Gërmenji.

Tregu ishte zbukuruar me flamure dhe shkollat kishin pushim.

Nga ora 10 para drake, megjithë që ishte ditë pazari, përpara Bashkisë filluan të mblidheshin shumica të mëdha populli. N’atë kohë arrijnë atje dhe autoritetet civile, ushtarake e fetare, duke patur në krye Prefektin z.Veli Vasjari.

Gjithë në atë orë një shumicë tjetër, e përbërë kryesisht prej nxënësve të shkollave të ndryshme të qytetit, ishin grumbulluar rreth e rrotull Monumentit të dëshmorit në kopshtin “Themistokli Gërmenji”.

Ceremonia filloi me lutjen e zakonshme në kishën e Shën Gjergjit, të kryesuar prej Hirësisë së Tij Peshkopit Evllogj. Në mbarim të lutjes Hirësia e Tij mbajti një fjalim duke ekzaltuar përpjekjet dhe sakrificat e dëshmorëve për çlirimin e Kombit.

Nga kisha, kortezhi i gjatë, që kishte në krye bandën, u drejtua për në kopshtin që nderohet me emrin e dëshmorit Themistokli. Këtu mbajti fjalimin e ditës profesori i Liceut z. Niko Stralla. Fjalimi, të cilin po e botojmë më poshtë, ishte me të vërtetë i goditur dhe u duartrokit nxehtësisht prej shumicës që kishte mbushur gjithë kopshtin dhe pjesën e bulevardit përpara monumentit.

Menjëherë pastaj banda ekzekutoj himnin mbretëror dhe atë të Flamurit që u mbuluan me brohoritje për L.M.T. Mbretin dhe për Atdhenë.

Ceremonitë u mbyllën me pritjen në Bashki të popullit…”

***

Republika Autonome Shqiptare e Korçës ishte një shtet autonom i themeluar më 10 Dhjetor të vitit 1916, nga forca lokale franceze, pas rënies së qytetit të Korçës nën kontrollin e tyre, gjatë Luftës së Parë dhe zgjati deri në vitin 1920. Më vonë u bashkuan dhe qyteti i Pogradecit, Ersekës dhe krahina e Devollit.
Gjuha kombëtare zyrtare ishte Shqipja, por raportet në autoritetet Franceze bëheshin në gjuhën Frënge.

Flamuri ishte si ai i Ismail Qemalit, i shoqëruar me shiritin Francez tringjyrësh.

Prefekti i kësaj Republike ishte Themistokli Gërmenji, një patriot i shquar shqiptar, kurse President ishte askush tjetër përveç se Ismail Qemalit.

U caktuan dhe ministrat, në detyrat përkatëse dhe rezultatet e mira që patën ministritë e financës, e arsimit dhe e luftës ishin përtej pozitives.

Dhe në financën e shtetit të ri shqiptar me në krye Ismail Qemalin u mor shembulli i krahinës autonome të Korçës, të cilët ishin të lidhur fort dhe synonin bashkimin të cilin e arriten pas vdekjes.

Krahina autonome kishte policinë e saj për ruajtjen e rendit dhe mbrohej nga ushtria Franceze.
U emëtuan dhe kartëmonedhat (frangat) e para Korçare, të personalizuara me simbolikat e popullsisë, në njërën anë kisha, në tjetrën xhamia.

Por, forcat greke historikisht kanë luftuar për të përpirë Korçën, Gjirokastrën dhe Himarën, nën idenë e shëmtuar të “Vorio Epirit”. Ata në të njëjtën kohë kur Korça u shpall republikë, hartuan një traktat për pavarësinë e “Vorio Epirit”.

Krahinës Autonome Shqiptare të Korçës i vjen fundi më 1920, me vrasjen e kreut të saj, Themistokli Gërmenjit, nga forcat greke në Selanik. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme