22 vjet nga rënia e dëshmorit Mentor Humolli, fjalët e fundit që i tha nënës: Atdheu po na thërret

21 Maj, 2021 - 2:00 pm

Në anën e djathtë të rrugës që çon nga Prishtina për në Podujevë, aty rrëzë Kulinave të Lupçit, rrezatojnë rreze lirie dy monumente përjetësie, dy lapidarë të ngritur mbi gjakun dhe eshtrat e dëshmorëve vëlla e motër: Mentor e Elfete Humolli.

Elfetja e rënë më 1 shkurt të vitit 1990 aty pranë lumit kryeneç të Llapit, kurse Mentori i përjetësuar në Kosharen heroike të kufirit njëshekullor të robëruesit serb, më 21 maj të vitit 1999, ringjallën në kujtesën e popullit shqiptar legjendën e Konstandinit dhe Doruntinës. Konstandini i nënë Sevdijes e i babë Isës, bëri nëntë vjet udhë për të arritur te e motra, e cila ishte ndarë prej tij nëntë vjet më parë, kur në atë ditë të acartë të shkurtit atyre u vlonte gjaku në dej për liri. “Ku është Mentori?” –kishte pyetur Elfetja e plagosur nga brenga për të vëllain, para se t’i mbyllte sytë. Pengun e kësaj ndarjeje, Mentori e mbajti nëntë vjet, duke mos shqitur për asnjë moment shikimin nga vendi ku po pushonte e motra dëshmore. “Vetëm mendojeni vëllezërit dhe motrat e kujt jemi!” – u thoshte ai gjithmonë vëllezërve e motrave të tij, pas rënies së Elfetes.

Dëshmori Mentor Humolli ka lindur më 5 mars të vitit 1976, në një familje me nam të mirë të Lupçit të Poshtëm të Podujevës. Prindërit e tij, Isa e Sevdia, lindën, rritën dhe edukuan me shumë përkushtim pesë vajza e katër djem: Luljetën, Elfeten, Serbezen, Mentorin, Sahadeten, Vlorën, Muhametin, Jetonin e Arianitin.

Në shkollën “Zenel Hajdini” të fshatit kreu shkollimin fillor, kurse në Prishtinë mbaroi shkollën e mesme ekonomike, në rrethanat kur shkolla shqipe në Kosovë ishte shpallur e ndaluar dhe ndaj saj ishte zbatuar segregacioni i tipit racist nga Serbia pushtuese. Pastaj u regjistrua në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ku krahas studimeve punoi pandërprerë në biznesin familjar ,,NITI’’ me produkte ushqimore me shumicë. Pasi i vdes i ati, Isa, më 1995, Mentori merr edhe rolin e kryefamiljarit, mbi supet e të cilit bie barra e sigurimit të ekonomisë së familjes. Ai përveç që vazhdoi me sukses biznesin e babait arriti të krijoj edhe fabriken e prodhimit të fideve, makaronave dhe shpagetave i cili gjithë makinerin e bleu në Itali dhe lënden e parë e blinte në Maqedoni për të mos u shërbyer nga Serbia. Përveç kësaj barre në ato vite të dekadës së fundit të shekullit 20, ai tregoi një solidaritet të madh duke ndihmuar financiarisht funksionimin e shkollës dhe të arsimit në gjuhën e vet amtare. Ai ndihmoi edhe me bursë të rregullt një numër studentësh, ndihmoi familje të varfëra, familjar dhe mbi të gjitha ndihmoi shumë UÇK-në me ushqim , veshëmbathje dhe para duke vazhduar të njëjtin humanitet si babai Isa i cili në vazhdimësi jetoi dhe ndihmoi rrugën për çështje kombëtare i cili mori pjesë në pajtim të gjaqeve përkrah të madhit profesor Anton Çeta, ndihmoi akademik Ali Aliun, profesor Hazir Shalen , aktivistin Sali Ramadani nga Maqedonia etj. etj. dhe së fundi ne vitin 1995 në moshën 49 vjeç e gjeti vdekjen në një mbledhje te fshatit të lindjes, po në ndihmë të qytetarëve. Mentori si student mori pjesë në protestën e madhe studentore të 1 tetorit 1997 në Prishtinë, si dhe në protestat e muajve në vazhdim të organizuara në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas epopesë së Prekazit e të qëndresës së Legjendarit Adem Jashari me familjen e tij.

Këto nuk ishin ballafaqimet e para të Mentorit me instrumentet e forcës të pushtuesit serb. Ai ishte rritur dhe kalitur në flakën e rezistencës së vazhdueshme e të pandërprerë të popullit shqiptar të Kosovës kundër shtypjes dhe sundimit serb, që nga viti 1981. Në kujtesën e tij fëmijërore ishte ngulitur persekutimi nga milicia, i familjes Humolli, nuk ishte rastësi edhe mbajtja e takimit në këtë shtëpi me datë 12 gusht, ku morën pjesë veprimtarë të njohur e intelektualë: Hazir Shala, Ali Aliu Kelmendi, Isuf Dedushaj, Fatos Aliu, Jahir Krasniqi, Sahit Berisha, Mujë Rugova etj. në përpjekje për një organizim mbarë kombëtar, ku të

nesërmen bëhet arrestimi i babait të tij Isës, më 13 gusht të vitit 1991 në shtëpinë e tij nga një rrethim i trefisht i shtëpisë dhe një kontrollë e hollësishme në ora 5:00 të mëngjesit të hershëm . Atë ditë babai i tij Isa i kishte thënë policisë serbe se kurrë më i madh nuk jam ndie, se keni mujt me më arrestu vetem dy veta.

I rritur në frymën e atëdhedashurisë ndonëse i ri vetëm 13-14 vjeçar, ai kishte marrë pjesë edhe në protestat dhe demonstratat e gati dhjetë viteve më parë kundër shtypjes e dhunës serbe, kur Kosovës iu mor me forcë statusi i autonomisë që gëzonte. Mentori kishte qenë në mesin e protestuesve dhe përkrah saj edhe në ditën e rënies të së motrës, Elfetes. “Mentori shpëtoi, e për të tjerët nuk e di!” – i kishte thënë Lulja motra e madhe, e cila po ashtu ishte në mesin e protestuesve, nënës, Sevdisë, pas plojës që kishin shkaktuar vrasësit militarë serbë, më 1 shkurt 1990 në fshatin Lupç.

Dalja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në frontin e hapur të luftës çlirimtare në Kosovë, pas betejës së Ludoviqit në Nëntor të vitit 1997 dhe pas Epopesë së Prekazit në Mars të vitit 1998, e entuziazmoi edhe më shumë djaloshin Mentor Humolli, për të gjitha të zezat e shkaktuara mbi popullin shqiptar gjatë një shekulli të tërë. Mentori ishte i përgatitur edhe fizikisht i cili ushtronte çdo mbrëmje për ta mbështetur luftën çlirimtare, prandaj në çdo minut angazhohej, mendonte dhe vepronte në dobi të kësaj lufte. Babai Isa i kishte thënë nënë Sevdijes vitet kur Mentori ishte i vogël se djali ynë Mentori ushtrinë do ta kryej në Shqipëri, derisa nënë Sevdija brengosej qysh në vegjëlinë e tij. Dhe pikërisht ashtu ndodhi, Mentori ushtrinë e kreu në Shqipëri në Bajram Curr për t’u bashkangjitur luftës së madhe të UÇK-së. Ai kishte informacione të hollësishme lidhur me zhvillimet në terren, sepse djali i axhës së tij, tashmë veprimtar shumëvjeçar i çështjes kombëtare, Fatmiri, ishte i inkuadruar drejtpërdrejt në frontin e luftës, e po ashtu edhe djali i hallës, dëshmori Hyzri Talla. Kishte raporte të ngushta edhe me tezakun e nënës, dëshmorin Mentor Ratkoceri, po ashtu nga Lupçi.

Rënia e Hyzriut, në zemrën e Mentorit shtoi edhe më shumë urrejtjen ndaj armikut dhe gatishmërinë për ta luftuar atë. “Ku të jetë fati e të vdesësh si Elfetja e si Hyzriu!” – thoshte ai sa herë që flitej për luftën dhe sakrificat që i kërkon liria.

Me gjithë deshirën e madhe që kishte Mentori për tu bashkuar në radhët e UÇK-së në zonën operative të Llapit që nga themelimi i saj, ai e sakrifikoi këtë dëshirë duke marr përsipër në atë moshë të re gjithë barrën e familjes së gjerë që të kujdesej për ushqime, veshëmbathje e strehim nga që ishte një ndërmarrës i suksesshëm e qëndronte shumë mirë financiarisht mirëpo pas fillimit të sulmeve nga ajri të NATO-s kundër forcave pushtuese serbe, në mars të vitit 1999, këto të fundit shfrynë tërë dufin shovenist duke zbatuar edhe strategjinë e spastrimit etnik të Kosovës përmes dëbimit me dhunë të shqiptarëve nga vatrat dhe trojet e tyre. Kjo strategji përfshiu edhe familjen e Mentorit, e vendosur në një banesë në Prishtinë, e cila më 4 prill të vitit 1999 u detyrua të shpërngulet për në Maqedoni duke kaluar nëpër ferrin e Bllacës dhe prej atje për në drejtim të Korçës. Mentorit edhe pse i kishte rënë barra e kryefamiljarit ai asnjëherë nuk e arsyetoi veten për të mos iu bashkangjitur luftës çlirimtare saqë iu sos durimi, nuk priti më! E mori ngrykë nënën e i tha “Nënë, atdheu po na thërret”, e nëna e fortë shkëmb se bëri fjalën dy e përqafoi fort e i dha uratën, Mentori mblodhi edhe motrat e vëllezërit e u la fletoren e shënimeve sikur e dinte që po niset për në rrugën e përjetësimit të tij. Bashkë me Fitimin djalin e hallës u nisën për në luftë, e pasi kishte filluar dëbimi në masë e vetmja mënyrë që ti bashkangjitej luftës ishte përmes Bllacës e pastaj të kalonte në Shqipëri, në çastin kur shkel brenda kufirit të Shqipërisë, nga malli dhe ndjenja e atdhedashurisë, emocioni i fortë që po shihte mëmën Shqipëri (që babai Isa vdiq me zhig për ta parë), Mentori përkulet e e puth dheun e tij. Familja e Mentorit (nëna, motrat dhe vëllezërit) ishin vendosur në qytezën e Ersekës.

Ndërsa ai së bashku me Fitim Tallën ia mësyjnë Bajram Currit, ku do të mobilizoheshin në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Meqenëse UÇK-ja kishte filluar zbatimin e operacionit për thyerjen e kufirit, Mentori e Fitimi sistemohen në Pikën e Padeshit. Në ato ditë prilli luftimet në kufi ishin të ashpra, kurse qëndresa e çlirimtarëve shqiptar, heroike. Mentori ishte i vetëdijshëm për faktin se fati i parë për luftëtarin është vdekja, prandaj, në një çast derisa po merreshin me bashkëluftëtarët e rënë, i drejtohet Fitimit me fjalët: “Kështu e ka lufta. Sot këta, nesër ne!”.

Se si ishte Mentori në frontin e luftës si luftëtar rrëfejnë shkokët nga Shkupi, Shaip Zeneli dhe Sakip Fetahi, tregojnë se si Mentori ishte i shkathtë e i përgatitur mirë fizikisht, shumë i dashur e modest. Me shaka tregojnë se Mentori kishte një veçanti ndër ushtarët e tjerë, ai çdo mëngjes do shkonte te kroi për të pastruar dhëmbët gjë që në ato kushte të ashpra lufte bashkëluftëtarëve as që u shkonte ndër mend.

Përballjen me forcat e armikut në zonën kufitare të Koshares, Mentori e vazhdoi rreth një muaj ditë, deri më 21 maj 1999. Në këtë ditë, në rrethana gjithnjë të pasqaruara, zjarrit të topave të forcave pushtuese serbe kundër pjesëtarëve të UÇK-së në këtë pikë kufitare iu shtua edhe një rrebesh sulmi ajror nga aeroplanët e NATO-s. Në zjarrin e këtij bombardimi ra edhe dëshmori Mentor Humolli më 21 maj 1999.

Për Elfeten dhe Mentor Humollin është përgatitur edhe një dokumentar të cilin po ju sjellim më poshtë. / KultPlus.com

Të ngjajshme