23 vjet nga masakra në Mejë

27 Prill, 2022 - 8:58 am

Sot shënohet përvjetori i 23-të i masakrës në Mejë të Gjakovës, ku më 27 prill  1999 u vranë 376 persona.

Në përkujtim të kësaj ngjarjeje tragjike, sot Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur vendos kurora lulesh para përmendores së personave të pagjetur  – sheshi “Skënderbe” në Prishtinë, në orën 09:00.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, bën homazhe pranë Obeliskut të të pagjeturve te Kuvendi, në orën 9:00 dhe Mejë të Gjakovës në orën 11:00. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku bën homazh te Kompleksi Memorial “Lëndina e pikëllimit”, në ora 10:30.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, bëjnë homazhe te Kompleksi Memorial në Meje, në ora 11:00.  Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje do të mbjellë fidanë në kujtim dhe nderim të 1617 personave të pagjetur nga lufta e fundit, te Biblioteka Kombëtare në Prishtinë, ora 14:00.

23 vjet më parë, forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës.  Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.

Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.

Grumbullimi i djemve dhe burrave në grupe nga mosha 15-60 vjeç filloi në orët e hershme të mëngjesit.

Në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës, duke i ekzekutuar të gjithë djemtë dhe burrat shtëpi për shtëpi.

Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me lojërat e juristëve të Slobodan Millosheviqit më 27 prill 1992.

Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja dhe pas luftës trupat e masakruar të tyre, disa u gjetën nëpër varreza masive nëpër Kosovë kurse të tjerët ka informacion se janë ende diku nëpër Serbi.

Përkundër kërkesave të familjarëve dhe organizatave të ndryshme në Kosovë që trupat e tyre të kthehen nga Serbia, kjo gjë është zvarritur nga shteti serb dhe ende nuk është bërë./ Gazeta Express / KultPlus.com

Të ngjajshme