24 vite nga rënia e Bekim Gashit dhe Dalip Behra, u vranë derisa po varrosnin të vrarët në Krushë të Madhe

13 Prill, 2023 - 2:39 pm

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka kujtuar sot 24 vjetorin e rënies së dëshmorëve Bekim Gashi dhe Dalip Behra të cilët u vranë nga forcat serbe, më 13 prill të vitit 1999, përcjell KultPlus.

Kryeministri është shprehur se ata ranë dëshmorë, duke u përjetësuar me veprat dhe emrat e tyre në historinë e çlirimit të Kosovës.

Ky është postimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Sot mbushen 24 vite nga 13 prilli i vitit 1999, kur në Krushë të Madhe, ranë dëshmorë Bekim Gashi dhe Dalip Behra. Atë kohë, Bekimi ishte vetëm 23 vjeçar, kurse Dalipi ishte 38 vjeçar. Pas masakrës së kryer nga forcat serbe mbi fshatarët e Krushës së Madhe, ku u vranë mbi 240 fshatarë, Bekimi dhe Dalipi ishin angazhuar në varrosjen e kufomave të të vrarëve. Në këtë përpjekje, ata ranë në një pritë të forcave serbe dhe pas luftimesh me ta, Bekimi dhe Dalipi ranë dëshmorë, duke u përjetësuar me veprat dhe emrat e tyre në historinë e çlirimit të Kosovës.

Fati i Bekimit dhe i Dalipit nuk mund të ishte ndryshe. Sepse Dalip Isuf Behra (1962) nga Krusha e Madhe, kishte qenë shumë aktiv në demonstrata dhe i ishte bashkuar herët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke sjellur armatime nga Shqipëria dhe duke marrë pjesë në luftimet e Brigadës 124 të Zonës Operative të Pashtrikut. Ngjashëm, Bekim Ismet Gashi (1976) kishte qenë aktiv në jetën kulturore dhe sportive të kohës, derisa dalja publike e UÇK-së i hapi rrugë t’i linte studimet në Universitetin e Prishtinës, për t’u mobilizuar në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u caktua zëvendëskomandant i Policisë Ushtarake në Brigadën 124. Bekimi e kishte në formimin dhe përvojën e tij familjare, shembullin e babait të tij Ismet Gashit, dhe nëpërmjet babait frymëzimin e vetë ideologut politik kombëtar Profesor Ukshin Hotit, shoqërues i të cilit ishte baca Ismet.

Lavdi dëshmorëve Bekim Gashi dhe Dalip Behra si dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës! / KultPlus.com

Të ngjajshme