26 vite nga sulmi ndaj Besim Kadriut, Kryeministri Kurti: Plagët e tij pasqyrojnë historinë e dhembjes kolektive

29 Prill, 2025 - 11:14 pm

Më 29 prill 1999, kur forcat e armatosura serbe sulmuan fshatin Zhazhë, Besim Kadriu u godit me plumb dum-dum, që i shkatërroi pjesën më të madhe të fytyrës.

Në 26 vjetorin e kësaj ngjarjeje tmerri, Kryeministri Kurti ka nderuar Besim Kadriun, ku edhe ka potencuar se plagët e tij  pasqyrojnë historinë e dhembjes sonë kolektive.

“Besimi është mishërim i qëndresës së popullit tonë. Në plagët e tij pasqyrohet historia e dhembjes sonë kolektive, e cila nuk mund të harrohet kurrë.

Krahas dëshmorëve dhe martirëve, nderojmë të gjithë që sfiduan vdekjen dhe jetojnë me plagët e lirisë”, ka shkruar Kryeministri Kurti.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti:

Më 29 prill 1999, kur forcat e armatosura serbe sulmuan fshatin Zhazhë, Besim Kadriu u godit me plumb dum-dum, që i shkatërroi pjesën më të madhe të fytyrës. Menduan që kishte vdekur. Por pas 24 orësh në gjendje kome, Besimi u rikthye në jetë.

Pa hundë dhe pa syrin e djathtë, ai mbijetoi për shtatë javë nëpër pyjet përreth Mitrovicës, me kujdesin e Jeton Pecit, të asistuar nga Ganimete dhe Nehat Peci, derisa erdhën në ndihmë ushtarët e KFOR-it.

Besimi u dërgua në Mbretërinë e Bashkuar nga Forcat Ajrore Mbretërore (RAF) në shtator, ku në nëntor 1999 iu nënshtrua një ndërhyrjeje të madhe kirurgjike.

“Kurrë nuk kam hasur dikë që është ende gjallë me një plagë kaq të tmerrshme si Besimi,” i kishte thënë doktori Dan Clay revistës Time, e cila më 6 mars 2000 publikoi një shkrim për Besimin.

Ai vazhdon të jetojë në Mbretërinë e Bashkuar, bashkë me familjen e tij.

Besimi është mishërim i qëndresës së popullit tonë. Në plagët e tij pasqyrohet historia e dhembjes sonë kolektive, e cila nuk mund të harrohet kurrë.

Krahas dëshmorëve dhe martirëve, nderojmë të gjithë që sfiduan vdekjen dhe jetojnë me plagët e lirisë.

Të ngjajshme