14 Maj, 2025 - 6:37 pm
Sot bota e muzikës dhe kinemasë ka përkujtuar 27-vjetorin e ndarjes nga jeta të këngëtarit të paharrueshëm për shumë breza, Frank Sinatra, sipas britannica.com.
Sinatra, emri origjinal i të cilit është Francis Albert Sinatra, u lind më 12 dhjetor 1915, në Hoboken, SHBA dhe vdiq më 14 maj 1998, në Los Anxheles.
Sinatra e filloi karrierën e tij si këngëtar në mesin e viteve 1930 dhe u zbulua nga trumpetisti Harry James, i cili e rekrutoi menjëherë.
Sinatra arriti popullaritet të gjerë kombëtar në vitet 1940-42, ndërsa këndonte me orkestrën ”Tommy Dorsey”.
Ai këndoi në programin radiofonik ”Your Hit Parade” (1943-45), ndërsa u bë një interpretues i preferuar në teatro dhe klube nate.
Në vitet 1940 ai luajti bashkë në një numër filmash muzikorë me balerinin Gene Kelly.
Popullariteti i tij ra papritur rreth vitit 1948, por performanca e tij në filmin “From Here to Eternity” (1953, Çmimi i Akademisë) ia ringjalli karrierën në rënie dhe më vonë ai luajti në shumë filma të vlerësuar, duke përfshirë “Guys and Dolls’’ (1955) si dhe dramën “The Manchurian Candidate” (1962).
Pas vitit 1953, ai performoi dhe regjistroi duke përdorur aranzhime nga Nelson Riddle, Billy May dhe Gordon Jenkins, duke arritur kulmin në albume si “Only the Lonely” (1958).
Në vitin 1961, ai themeloi “Reprise Records”.
Interpretimet e tij mjeshtërore, të alternuara me ritëm të lartë dhe melankoli prekëse, i sollën një sukses të pakrahasueshëm në historinë e muzikës amerikane.
Sinatra vdiq më 14 maj 1998 në Los Anxheles, pasi pësoi një atak në zemër.
Në pllakën e varrit të tij janë shkruar fjalët “Më e mira ende nuk ka ardhur”./ atsh/ KultPlus.com