372 vite nga lindja e Gjon Françesk Albani, Papa me gjak shqiptari

23 Korrik, 2021 - 12:34 pm

Më 23 korrik të vitit 1649 u lind Gjon Françesk Albani, apo Papa Klementi XI, i mbiquajtur Albani. Papa Klementi XI ishte Papa i 243 i Kishës Katolike. Shërbeu si papë nga 23 nëntori i 1700-ës deri më 19 mars 1721.

Papa Klementi XI, Albani, e drejtoi kishën katolike për 21 vjet dhe rreshtohet i katërti për nga vitet mbas Shën Pjetrit me 35 vjet, Papa Piut me 31 vjet, Papa Gjon Palit me 26 vjet. Në vitin 1660 pas kryerjes së shkollës fillore ai shkoi në Romë, për të ndjekur kolegjin romak.

Aty studioi gjuhë të vjetra dhe drejtësi. Në vitin 1668 diplomohet në drejtësi. Dhe në vitin 1670 fillon karrierën kishtare. Nga Papa Inoçenti do të emërohet si sekretar i dekreteve papnore dhe në shkurt 1690 do emërohet kardinal. Më 9 tetor 1700 zgjidhet papë i kishës katolike.

Ndihmesa ndaj Shqipërisë, shpresa e vazhdueshme e papës me origjinë shqiptare Klementit të Nëntë, për të bashkuar Krishterimin, dha rezultate të gjëra në Shqipëri. I përket asaj periudhe mbajtja e “këshillit fetar të parë kombëtar shqiptar” të vitit 1703, i njohur si Kuvendi i Arbrit, i cili shënoi ndryshimet rrënjësore në linjën e veprimit të klerit për çështjet dogmatike, morale, kanunore dhe ipeshkvore.

Priftërinj të shumtë ortodoksë nga Shqipëria, i kishin drejtuar Papës kërkesa ndihme për mbështetje politike duke sjellë edhe një afrim fetar. Vdiq më 19 mars 1721 në Romë.

Dëshirën për t’u identifikuar shqiptar Papa Kelmenti XI (Gjon Francesk Albani) e ka shprehur menjëherë pas zyrtarizimit si drejtuesi i Kishës Katolike, kur vendosi që të njihej edhe me mbiemrin Albani.

Në historinë shqiptare, si dhe në fusha të tjera studimore albanologjike emri i Papa Klementit XI Albani, përmendet si një Papë me “gjak shqiptar, “si një Papë me “origjinë shqiptare,” si “Papa që ka thirrur Kuvendin e Arbrit”, dhe për plot merita te tjera për çështjen shqiptare.

Të gjithë autorët e huaj që kanë shkruar për të, nuk kanë mundur ta shpërfillin prejardhjen e tij shqiptare, duke theksuar edhe krenarinë me të cilën ai identifikohej si shqiptar. Me 25 prill 1993, gjatë vizitës në Shkodër të Papa Gjon Palit të dytë dhe në intervistat që i paraprinë kësaj vizite, disa here e ka përmendur emrin e Papa Klementit XI Albani, duke theksuar lidhjet e tij, madje edhe në formë të ngushtë, në mes të Vatikanit dhe Shqipërisë.

Biografi francez i Klementit XI- Albani, M. Reoule shkruan: “Gjon Francesk Albani, që kishte prejardhje shqiptare, u kujdes posaçërisht për fatin e Kishës në vendin e paraardhësve të tij. Me nismën e tij u mblodh Kuvendi i Ipeshkvinjëve katolikë të Ballkanit (14-15 janar 1703). Kjo ishte një fitore e madhe për kulturën dhe kombësinë shqiptare, pasi klerikët ishin të parët, që filluan të shkruanin në gjuhën shqipe dhe të krijonin përmendoret e para të letërsisë shqipe.”/ KultPlus.com

Të ngjajshme