17 Korrik, 2025 - 3:34 pm
Më 17 korrik 1977, regjimi komunist shqiptar pushkatoi dy zëra të lirë të poezisë shqipe: Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën, të dënuar përmes një aktakuze absurde që e konsideronte fjalën artistike si krim kundër pushtetit.
Në mesin e dokumenteve të sekuestruara nga Sigurimi i Shtetit, një poezi e Blloshmit, me titull “Saharaja”, u konsiderua “vepër penale”, pasi e përfytyronte realitetin shqiptar si një shkretëtirë të thatë, pa shpresë e pa jetë:
“Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë me mend’ e saj…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë…”
Vilson Blloshmi lindi më 18 mars 1948 në Bërzeshtë të Librazhdit. Edhe pse me rezultate të shkëlqyera, iu mohua e drejta për të ndjekur arsimin e lartë për shkak të “biografisë së keqe”. Jetoi si bujk, minator e druvar, por letërsia ishte fryma e tij e përditshme e ndaluar, e padukshme, por e gjallë.
Ai u arrestua në vitin 1977, bashkë me Genc Lekën, dhe më 13 qershor u dënuan me vdekje për “agjitacion e propagandë”. Vendimi u ekzekutua më 17 korrik. Poetët e rinj lanë pas dorëshkrime, përkthime, poezi dhe një jetë të ndërprerë brutalisht nga frika e fjalës.
Pas rënies së diktaturës, Vilson Blloshmi u nderua me dekoratën “Martir i Demokracisë” (1994) dhe titullin “Qytetar Nderi” i Librazhdit (2006). Sot, një memorial në qytetin e tij përkujton dy poetët martirë si zëra që nuk heshtën./KultPlus.com