5 vjet pa Fadil Vokrrin, simbolin e futbollit kosovar 

9 Qershor, 2023 - 9:22 am

Sot bëhen 5 vjet që kur u nda nga jeta Legjenda e futbollit kosovar, Fadil Vokrri. Ky moment na risjell kujtimet e tij të mrekullueshme në fushën e futbollit dhe kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin e këtij sporti në Kosovë.

Fadil Vokrri ishte shembull i vërtetë i talentit, përkushtimit dhe pasionit për futbollin. Me stilin e tij karakteristik dhe aftësitë e tij të jashtëzakonshme, ai ndikoi thellësisht në futbollin kosovar dhe u bë ikonë për brezat e viteve të 80-ta. Karriera e tij e shkëlqyeshme brenda dhe jashtë vendit e bëri atë një nga futbollistët më të dashur dhe më të respektuar në historinë e Kosovës.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi e ka kujtuar sot Vokrrin duke u shprehur se përveç talentit të tij në fushën e lojës, ai ishte njeri i ndershëm, modest dhe i angazhuar maksimalisht në detyrën e tij. Pas përfundimit të karrierës së tij si futbollist, ai vazhdoi të kontribuojë në zhvillimin e futbollit, duke qenë president i Federatës së Futbollit të Kosovës në kohën e vështirë të ndërkombëtarizimit.

“Ardhja e tij në FFK na gëzoi neve që ishim aty, sepse me ardhjen e tij u mblodhën forcat e të gjithë brezave; gjeneratës së parë të futbollit, gjeneratës së artë, gjeneratës së sakrificës dhe asaj të diasporës. Të gjithë së bashku, me punë e përkushtim arritëm që ta thyejmë izolimin 25 vjeçar dhe të anëtarësohemi UEFA e FIFA, duke i hapur rrugë promovimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, shprehet Ademi duke vlerësuar se emri i Fadil Vokrrit mbetet burim frymëzimi për brezat e rinj për ta ndjekur pasionin e tyre për futbollin. E për ata që kanë pasur fatin të luajnë, të punojnë ose të jenë afër tij, ai mbetet një figurë emblematike.

“Së bashku, kaluam nëpër shumë sfida, por punuam me vendosmëri që futbolli i Kosovës të arrijë në nivelin e tij aktual. Arritjet ishin të përbashkëta dhe rezultat i punës së palodhshme dhe përkushtimit të të gjithë atyre që kanë punuar dhe kontribuar në futbollin kosovar që nga mëvetësimi.”

Fadil Vokrri ishte simbol i unitetit dhe bashkëpunimit në Kosovë në të gjitha sferat. Ai i bashkoi njerëzit nëpërmjet pasionit të përbashkët për futbollin dhe e përfaqësoi me krenari kombin tonë. Duke shfaqur vlerat e mirësjelljes, respektit dhe përkushtimit, Vokrri u bë frymëzim për të gjithë, duke na lënë një trashëgimi të pasur.

Sot, Legjendën e nderojmë duke e ruajtur trashëgiminë e tij, duke treguar respekt e vlerësim ndaj futbollit dhe duke ndërtuar një të ardhme të ndritur për gjeneratat e reja në këtë sport magjik.

Krejt në fund Ademi ka treguar se ky muaj përpara nesh sjell dy ndeshje shumë të rëndësishme për kualifikimet e Evropianit 2024 kundër Rumanisë dhe Bjellorusisë.

“Besojmë se Legjenda nga qielli do të na sjellë fat dhe frymëzimi për të do të na ndihmojë për të fituar pikët maksimale, për ta përmbushur kësisoj ëndrrën tonë, që ishte edhe ëndrra e tij – kualifikimin në Evropian. Përherë në zemrat tona Legjendë!”, përfundon Ademi. / KultPlus.com

Të ngjajshme