51 vjet nga vdekja e nobelistit Miguel Ángel Asturias

9 Qershor, 2025 - 7:15 pm

Miguel Ángel Asturias lindi më 19 tetor 1899 në qytetin e Guatemalës. Ai u rrit në një mjedis ku legjendat indigjene, padrejtësitë sociale dhe tensionet politike ishin pjesë e përditshmërisë. Këto elemente do të përshkonin veprën e tij për gjithë jetën, transmeton KultPlus.

Pas përfundimit të studimeve në vendlindje dhe më pas në Paris, ku u ndikua nga surrealizmi dhe teoritë e Freud-it, Asturias nisi të formësojë stilin e tij unik: një përzierje mes mitologjisë indigjene, realitetit brutal dhe elementeve të magjisë dhe ëndrrës. Ai ishte një nga pararendësit e realizmit magjik – një stil që më vonë do të përfaqësohej nga emra si Gabriel García Márquez dhe Mario Vargas Llosa.

Romani i tij më i njohur, “El Señor Presidente” (Zoti President), është një akt rebelimi kundër diktaturës. I ndaluar për vite me radhë në vendin e tij, libri përshkruan atmosferën shtypëse të një regjimi tiranik, duke denoncuar abuzimin e pushtetit dhe dhunën shtetërore.

Një tjetër kryevepër e tij, trilogjia “Hombres de maíz” (Njerëzit e misrit), i jep zë popujve indigjenë dhe filozofisë së tyre për jetën, duke e shndërruar natyrën dhe mitin në protagonistë të një bote që ekziston paralel me realitetin perëndimor.

Në vitin 1967, Asturias u nderua me Çmimin Nobel në Letërsi, duke u bërë shkrimtari i dytë latinamerikan që e fiton këtë çmim, pas Gabriela Mistral. Juria e përshkroi veprën e tij si “të rrënjosur thellë në mentalitetin dhe realitetin e Amerikës Latine”, dhe e vlerësoi për “forcën poetike me të cilën e ka ndriçuar jetën e popullit të tij”.

Përveç si shkrimtar, Asturias shërbeu edhe si diplomat dhe ambasador i Guatemalës në Francë. Por mbi të gjitha, ai mbeti gjithmonë një zë kritik dhe një mbrojtës i të shtypurve.

Miguel Ángel Asturias vdiqmë 9 qershor 1974 në Madrid, por u varros në Paris, në varrezat e famshme të Père Lachaise, aty ku prehen edhe figura të tjera të mëdha të kulturës botërore. Trashëgimia e tij vazhdon të frymëzojë breza të rinj shkrimtarësh, studiuesish dhe aktivistësh./KultPlus.com

Të ngjajshme