600 vjet histori, nisin studimet mbi arbëreshët

29 Shtator, 2021 - 11:45 am

600 vjet histori të arbëreshëve, të cilët janë konsideruar edhe si shembull unik në gjithë historinë e trashëgimisë botërore, për shkak të mbijetesës së tyre etnike, kulturore e gjuhësore, po shqyrtohen në universin studimor të rreth dy shekujve.

Në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar nisi të hënën dita e parë e Kuvendit të Studimeve Arbëreshe me temë: “Gjendja aktuale e studimeve mbi arbëreshët”.

Ky aktivitet i rëndësishëm, i organizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) në kuadër të njohjes dhe analizimit të rezultateve kërkimore-shkencore të deritanishme mbi arbëreshët bëri bashkë emrat më autoritarë të studimeve mbi këtë lëmi nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Italia. Po ashtu, merrnin pjesë edhe përfaqësues zyrtarë të institucioneve të ndryshme shkencore, arsimore, kulturore, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.

Në këtë aktivitet të rëndësishëm që bashkon emrat më autoritarë të studimeve sot, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) mundëson për herë të parë një pikëvështrim të ri të njohjes dhe analizimit të rezultateve kërkimore-shkencore të deritanishme mbi arbëreshët.

Fjalën e hapjes e mbajti drejtoresha ekzekutive e QSPA-së, prof. Diana Kastrati, e cila pasi falënderoi të pranishmit, theksoi se, “kjo Qendër erdhi si një erë e freskët në mjedisin akademik duke sjellë mendësi të reja, duke “shprishur” disa komoditete të stanjizuara, por gjithmonë duke i qëndruar me objektivitet interpretues të kaluarës sonë, sepse pa rrënjë ne nuk jemi të lirë. Kjo përbën edhe thelbin e ndryshimit të institucionit tonë me ato simotra studimore në Shqipëri”.

“Po shpjegohem më qartë: rrugëtimi kronologjik i studimeve mbi Arbëreshët në Shqipëri në bashkëpunim me Arbëreshët e Italisë në veçanti, si çdo fenomen tjetër që varet nga faktorë politikë më së pari, por edhe strategjikë kulturorë, ka njohur periudha lulëzimi, nëse mund të shprehemi kështu, po aq sa edhe një kurbë në zbritje. Nëse realisht ne duam ta bëjmë pjesë të qenësishme e të natyrshme tonën këtë trung shqiptar të mbetur jashtë kufijve, nëse vërtet jemi aq të ndërgjegjshëm sa të kuptojmë se fati na ka “përkëdhelur” duke na e sjellë akoma këtë “xhevahir” antropologjik të ruajtur fuqishëm pas thuajse gjashtë shekujsh, nëpërmjet e falë një “kryeneçësie” të paprecedentë të kësaj popullate për të qenë “Arbëreshë” në gjuhë, doke, zakone, veshje e kulinari, ose është ky momenti vendimtar i ndërveprimit, ose (pa bërë Kasandrën), vështirë se do të ketë një të dytë. Në këtë kuadër, futet edhe vizioni i punës së Qendrës”, tha Kastrati.

Më tej përshëndeti punimet e këtij Kuvendit edhe zv.ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Olti Rrumbullaku, si dhe drejtoresha e Politikave të Diasporës pranë Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Mira Hoxha, të cilët vlerësuan punën e zhvilluar deri më tani nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA).

Ndërsa, zv.ambasadori i Italisë në vendin tonë, Alberto Pietrangelo, bëri një ekspoze të bazës ligjore tëe shtetit italian në lidhje me ruajtjen dhe mbrojtjen e gjuhëve minoritare, mes të cilave arbërishtja zë një vend qendror. Por nga ana tjetër, ai nënvizoi që jo vetëm shteti italian, por edhe shteti shqiptar duhet t’i ndihmojë arbëreshët që të ruajnë gjuhën dhe traditat e veta. Sipas tij, Ambasada e Italisë do të jetë një mbështetje e vazhdueshme për ta çuar përpara misionin e QSPA-së dhe rezultatet e këtij Kuvendi do të referohen edhe në Romë, përderisa marrin pjesë me mendimet e tyre ekspertë e studiues me përvojë shumëvjeçare.

Në përmbyllje të fjalëve përshëndetëse, ka treguar përvojën e vet me diasporën historike në Rusi edhe albanologu i shquar Aleksandër Novik. Ai ka vlerësuar botimet dhe punën e deritanishme të QSPA-së dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunime ndërinstitucionale edhe me katedrën e Shën Petërburgut, të cilën  e drejton prej vitesh.

Pas përshëndetjeve, ka nisur prezantimi i referateve dhe kumtesave nga studiuesit e pranishëm, ku mes kryesorëve ishin: Italo Sarro, Ymer Çiraku, Agostino Giordano, Evalda Paci, Emin Kabashi, Dhori Qiriazi, Zeqirja Neziri, Klara Kodra, Agim Vinca, Isak Shema, Vebi Bexheti, Kristaq Jorgo etj. / KultPlus.com

Të ngjajshme