72-vjetori i Arkivit Qendror Shtetëror

9 Qershor, 2021 - 4:44 pm

Arkivi Qendror Shtetëror feston sot 72 vjetorin e krijimit, por fillimet e veprimtarisë arkivore në Shqipëri datojnë që nga antikiteti.

Historia dëshmon se në bibliotekat që ekzistonin në shtetet ilire, në principatat feudale shqiptare, në shtetin e Skënderbeut, në shoqëritë patriotike e kulturore, në institucionet fetare, në firmat tregtare, në esnafët, në familje dhe individë të veçantë, krahas librave ruheshin edhe dokumente.

Zhvillimet politike e shoqërore në hapësirat shqiptare dhe më gjerë, u shoqëruan me dukuri të reja edhe për arkivat dhe dokumentet. Në përgjithësi arkivat konceptoheshin si bibliotekë-arkiva dhe kujdesi për dokumentet vinte në rritje.

Shpallja e Pavarësisë, më 1912 dhe krijimi i Shtetit të Pavarur Shqiptar, krijoi kushte edhe për organizimin e punës për kujdes më të madh për dokumentet. Për herë të parë në histori vlerësimi i dokumenteve dhe administrimi e ruajtja e tyre gjen pasqyrim në aktin më të lartë normativ të shtetit. Në kanunin e Përkohshëm të Qeverisë së Vlorës, u sanksionua veprimtaria e njësive të posaçme strukturore në organet e administratës shtetërore, për punën me dokumentet.

Krahas këtyre masave nuk reshtën dhe përpjekjet për krijim e një arkivi qendror, ku do të përqendroheshin dokumentet më të rëndësishëm për historinë kombëtare.

Dokumenti i parë që ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror, që bën fjalë për përpjekjet drejt krijimit të një Arkivi Qendror, është vendimi i datës 02.01.1932 i Këshillit të Naltë të Shtetit, për shqyrtimin e projekt-rregullores, për regjistrimin e ngjarjeve me rëndësi. Në këtë projektrregullore, parashikohej edhe krijimi i Arkivit të Përgjithshëm të Shtetit.

Moment i rëndësishëm për historinë e arkivave shqiptare është projekt-ligji i vitit 1932 “Për krijimin e Arkivës së Përgjithshme të Shtetit dhe të Kronikës Historike”, në nenin 1 të të cilit përcaktohej: “Krijohet në kryeqytet një Arkivë e Përgjithshme e Shtetit , për me përmbledh e ruajt gjithë dokumentet zyrtare”. Megjithëse projekt-ligji nuk u zbatua, ai i dha një nxitje zhvillimit të veprimtarisë arkivore.

Lufta e Dytë Botërore, ngadalësoi nismat e marra nga organet shtetërore për arkivat dhe ata deri në përfundim të saj mbetën në nivelin e sekretari-arkivave, si njësi strukturore të institucioneve, që ndiqnin dhe përgjigjeshin vetëm për administrimin e dokumenteve të tyre. Megjithatë në sajë të veprimtarisë së tyre, u bë e mundur që të ruhen e të trashëgohen sasi të vlerësueshme dokumentesh me shtrirje pothuajse gjithëpërfshirëse subjektesh, kohore, hapësinore dhe në përmbajtje.

Përpjekjet për krijim e një arkivi qendror vazhduan edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1947, pranë Institutit të Studimeve u krijua “Arkivi Dokumentar i Institutit”. Ai grumbulloi një sasi të konsiderueshme dokumentesh historikë që ruheshin në organet shtetërorë apo individë të veçantë, duke marrë kështu dhe atributet e një Arkivi Qendror, por jo me të gjitha karakteristikat e një organi të tillë.

Arkivi Qendror Shtetëror (AQSH), u krijua si organ qendror, megjithëse në varësi të Institutit të Studimeve, me urdhëresën e Këshillit të Ministrave nr 21 datë 08.06.1949.

Krijimi i tij shënon një moment kulmor për historinë e arkivave shqiptare.

Për herë të parë, krahas arkivave të organeve shtetërore, filloi funksionimi i një organi të mirëfilltë arkivor me shtrirje gjithështetërore. Në vitin 1951, Arkivi Qendror i Shtetit kaloi në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, varësi të cilën e ruajti deri në vitin 1962, kur u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit (sot Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave) , në varësi të Këshillit të Ministrave. Krahas të qenit organ qendror, kjo Drejtori kishte dhe ka edhe atributet e Arkivit Qendror Shtetëror, si arkivi më i rëndësishëm dhe më i pasur i rrjetit arkivor të vendit./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme