76 vjet nga emetimi i kartëmonedhave dhe çekmonedhave

22 Qershor, 2021 - 9:30 am

Sot janë mbushur 76 vjet nga koha kur Banka e Shtetit Shqiptar kishte shpallur vulosjen e kartëmonedhave dhe të çekmonedhave të emetuara nga ish-Banka Kombëtare e Shqipërisë.

Pas Luftës II Botërore dhe proklamimit të Qeverisë Demokratike, në Shqipëri kishin filluar të dukeshin shenjat e para të inflacionit dhe keqësimi i gjendjes së kartëmonedhave, që vinin nga pamundësia për të shtypur kartëmonedhë të re dhe për ta zëvendësuar atë në qarkullim.

Në pritje të normalizimit të situatës, më 22 qershor 1945, Banka e Shtetit Shqiptar kishte shpallur vulosjen e kartëmonedhave në qarkullim, si dhe të çekmonedhave të emetuara nga ish-Banka Kombëtare e Shqipërisë.

Vulosja e kartëmonedhave ishte bërë në të gjithë vendin prej datës 27 qershor deri më 8 korrik 1945, duke filluar nga zonat kufitare. Ajo do të bëhej vetëm për prerjet 20 dhe 100 franga shqiptare, si dhe çekmonedhat me vleftë 20, 100, 500, 1000 dhe 5000 franga shqiptare. Vula kishte trajtën e një drejtkëndëshi, me përmasa 52×34 mm, që kishte përbrenda një shqiponjë dy-krenare me yll mbi të dhe fjalët ”Banka e Shtetit Shqiptatr”, e gjitha e vijëzuar me vija paralele horizontale, ku shqiponja dhe shkrimet janë me hije.

Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se, vulosja e kartëmonedhave ishte bërë pa asnjë kufizim shume. Kartëmonedhat dhe çekmonedhat që nuk ishin paraqitur për vulosje ishin konsideruar të pavlefshme dhe për pasojë, kishin dalë jashtë qarkullimit.

Sipas BSH-së, vulosja e kartëmonedhave dhe e çekmonedhave të ish-Bankës Kombëtare të Shqipërisë ka pasur efekte të ndjeshme në qarkullimin monetar. Ajo kishte lënë jashtë vulosjes rreth 20% të monedhës në qarkullim, pasi nuk ishin vulosour kartëmonedhat me prerje nën 20 franga shqiptare.

Në fund të vitit 1945, emisioni kishte arritur në 286.100.000 franga shqiptare, nga 384.396.000 që ishte në fund të vitit 1944. / rtv.21.tv / KultPlus.com

Të ngjajshme