76 vjet nga kryengritja e parë antikomuniste në Shqipëri

9 Shtator, 2022 - 12:02 pm

76 vjet më parë, në Postribë u organizua kryengritja e parë antikomuniste në vend. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se organizimi i rezistencës antikomuniste nisi në zonën e Shkodrës, me shpresën se do të kthehej në një kryengritje të madhe popullore. Në pjesën më veriore të vendit, komunizmi ende ishte i dobët. Në Postribë lëvizja u nxit kryesisht nga kleri me mbështetjen e elementëve nacionalistë. Mbledhjet e para patën si qëllim pjesëmarrjen e gjerë të fshatrave dhe të banorëve të qytetit të Shkodrës.

Nën drejtimin e Osman Haxhisë, u mblodhën përfaqësuesit kryesorë të fiseve.  Mes tyre edhe përfaqësuesi i njohur i fisit të Kazazëve, Jup Kazazi, i cili kishte një autoritet shumë të madh në Shkodër dhe në fshatrat rreth saj. Kryengritja e Postribës u shtyp nga regjimi duke dërguar forca të shumta. Osman Haxhia, u kap dhe u dënua, ndërsa Jup Kazazi i rrethuar nga forcat shtetërore, u vetëvra dhe kufomën e tij e shëtitën rrugëve të Shkodrës për të dhënë një mesazh.

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” kujton se që nga ajo periudhë nisën raprezaljet më çnjerëzore.

Për shkak të numrit të madh të të akuzuarve, për Kryengritjen e Postribës njihen disa procese të shkëputura nga njëra-tjetra. Në gjyqet e para ajo që konstatohet është se përveç të dyshuarve si kryengritës, ka një numër të madh klerikësh dhe intelektualësh të Shkodrës.

Për 9 të pandehurit: Dulo Kali, Mons.Gjergj Volaj, Bilbil Hajni, Xhelal Hardoli, Cin Serreqi, Ragip Meta, Osman Haxhija, Shaban Abdullahi, Isa Meta u dha dënimi me vdekje.

Për të pandehurit: Padre Gurashi, Abaz Hysi, Myrto Dani, Jakup Dani u dha burgim i përjetshëm. Për të pandehurit: Syrja Anamali e Nuh Duli denimi me 20 vjet privim lirie.

Për të pandehurit: Sami Rrepishti, Hafiz Derguti, Sulo Kurti e Hajdin Tafa u dha dënimi me 15 vjet privim lirie.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ofron foto të një raporti të Komitetit Qendror të Partisë mbi kryengritjen e Postribës si dhe një foto ku shfaqen anëtarë të çetave të Ballit Kombëtar, ndër ta edhe Jup Kazazi, një nga drejtuesit kryesorë të kësaj lëvizjeje. /atsh /KultPlus.com

Të ngjajshme