93 vite më parë u miratua Kodit Civil

1 Prill, 2022 - 7:45 pm

Më 1 prill të vitit 1929, u miratua njëri prej akteve juridike më të rëndësishme të shtetit shqiptar, Kodi Civil.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave thekson se Kodi përbënte risi për terrenin normativ dhe shoqëror të Shqipërisë së viteve ‘30.

Vetiu, legjislacioni shqiptar pati shëmbëlltyrën e të drejtave të huaja e veçanërisht të së drejtës franceze, italiane dhe deri diku të asaj gjermane e zvicerane.

Thënë këtë, përgjatë përpilimit, u huazuan dispozitat për barazinë e të gjithë qytetarëve, për emancipimin e pronësisë mbi tokën dhe për lirinë e angazhimit në aktivitete ekonomike.

Hyrja në fuqi e këtij Kodi Civil e grupoi të drejtën civile shqiptare në llojin romano-gjermanik, duke e mëvetësuar nga e drejta otomane. Me ndryshimin e regjimit qeverisës në vend, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ky legjislacion asokohe bashkëkohor, u shfuqizua.

Në dokument, paraqitet një telegram falenderimi që Ministria e Drejtësisë ia drejton Mbretit Zog, për vënien në zbatim të Kodit Civil. / KultPlus.com

Të ngjajshme