97 vite më parë lindi në SHBA personaliteti i filmit dokumentar shqiptar

31 Maj, 2021 - 6:55 pm

Endri Keko lindi në Shtetin Maine të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një familje Korçare, më 31 maj 1924. Keko ishte një nga kineastët e parë shqiptarë, i cili u kthye në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Me kthimin në Shqipëri në vitin 1930 dhe mbarimin e shkollës fillore në fshatin Dardhë të Korçës ku jetonin prindërit e tij, punon në punë të ndryshme si druvar në pyjet e Moravës, punëtor në kantierin e mirëmbajtjes së rrugës Korçë – Dardhë apo çirak në familjet e mëdha korçare të Abeshinjve dhe Sherkove.

Vjeshta e vitit 1942 e gjen partizan të çetës “Morava”, viti 1943 pjesë të batalionit “Fuat Babani”,  ndërsa çlirimi i vendit në radhët e Brigadës së XV – s.

Karrierën do ta niste si ushtarak, por në vitin 1947 u lirua e nisi punë në Ndërmarrjen Kinematografike prej nga ku në vitin 1950 do të dërgohej në Moskë për t’u përgatitur si regjisor filmi dokumentar.

Me kthimin në Atdhe në vitin 1952, fillon punë në Kinostudion “Shqipëria e Re” duke hyrë në histori si një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare.

Kur regjisori Endri Keko vendosi kutinë e parë në raftet bosh të filmarkivit, ishte data 10 Korrik 1952 dhe në kapakun e saj shkruhej “Kinostudio SHQIPERIA E RE – viti 1952 – Kinozhurnal nr. 1”. Nga ajo ditë e deri më 14 Maj 1979 kur u largua përfundimisht nga krijimtaria dhe vendosi kutinë e 338 në raftet e filmarkivit, ai realizoi 68 filma dokumentarë, 35 filma kronikalë, 38 kinozhurnalë dhe 1 film artistik. “Shqipëria”, “Dritë mbi Shqipëri”, “Pranvera e nëntë”, “Në shtigjet malore”, “Letër nga fshati”, “Ringjallje”, “Vallzim i shqipeve”, “Në flakë të revolucionit”, “Rruga jote, shok”, “Tregim në sytë e nënës”, janë vetëm disa nga titujt e realizimeve të tij ndër më të suksesëshmit e që për atmosferën, këndvështrimin dhe nivelin artistik, për studiuesit e kinemasë mbeten edhe sot një pasuri e çmuar e me vlerë.

Kanë kaluar 40 vjet nga dita kur regjisori Endri Keko u shkëput nga krijimtaria. Megjithatë, ai mbahet mend si regjisori që lëvroi me sukses të gjitha zhanret e saj, që nga filmi kronikal, kinoreportazhi, filmi muzikor e kinopoema deri tek filmi dokumentar e artistik. Fitues i Kupës për filmin më të mirë dokumentar në Festivalin e dytë të Filmit Shqiptar (1977) dhe Festivalin e tretë të Filmit Shqiptar (1979), fitues i Çmimit të Nderit në Festivalin e Karlovy Varyt (Çekosllovaki – 1952), Diplomës së Nderit në Festivalin e Moskës (BRSS – 1959), Medaljes së Bronxit në Festivalin e Parisit (Francë – 1962) dhe Diplomës së Nderit në Festivalin e Lajpsigut (DDR – 1962), fitues i Çmimit të Republikës në vitet 1959, 1970 dhe 1979, fitues i shumë çmimeve në konkurset letrare për skenarë filmash, Endri Keko vazhdon të konsiderohet edhe sot personaliteti më i spikatur dhe më i vlerësuar i gjinisë së filmit dokumentar shqiptar./ KultPlus.com

Të ngjajshme