A gabojmë kur huazojmë fjalë të huaja në gjuhën shqipe?

18 Gusht, 2019 - 2:00 pm

Çallaveshan, mushtëkohem, vjerdh dhe kjomë, janë vetëm disa prej fjalëve të gjuhës shqipe që janë kthyer nga harresa përmes një llogarie në Instagram.

I emërtuar “fjaluer”, sikurse pretendohet se janë quajtur fjalorët kohë më parë, ky profil me shumë ngjyra dhe rreth 60 postime të shprehjeve të ndryshme, ka mbledhur afër vetes mbi 5,600 ndjekës nga maji i këtij viti.

Përshkrimi i llogarisë është i shkurtër por i qartë:

“Fjalë, histori, shpjegime, etimologji, e të dhana të tjera për gjuhën shqipe. Pa paragjykime, e pa qëllime parashkruese. I hapun për sugjerime”.

Plator Gashi, një i ri nga Prishtina, dashamirës i gjuhës shqipe tregon se ideja dhe gatishmëria për ta hapur këtë faqe i ka ardhur shumë natyrshëm.

“Ideja ka qenë që jo vetëm t’i paraqes ato fjalë para njerëzve që ata t’i shohin e përbrendësojnë, por edhe të kuptojmë që nuk kanë asgjë të keqe ato fjalë. Disa prej tyre as nuk janë në fjalor. Pra, gjuha nuk është vetëm ai fjalor i standardit që mban një numër të caktuar fjalësh dhe na tregon neve çfarë të përdorim. Sipas meje, fjalori duhet me qenë një vegël që dokumenton se si njerëzit e flasin gjuhën dhe jo anasjelltas”, ka thënë ai. /KultPlus.com

Të ngjajshme