A vriten pëllumbat bre…!

2 Prill, 2024 - 9:15 pm

Shkruan: Blerim Valla

Poeti i madh gjakovar Ali Podrimja kishte klithur nga brendia e shpirtit të tij për tragjedinë kur kriminelët serb vranë e dogjën fëmijë shqiptar! Është i njohur vargu i tij lament: A vriten pëllumbat bre!

Por ai nuk e kishte paramenduar se në zemër të Evropës në shekullin XX – të, gjegjësisht në Kosovë, në Gjakovën e tij të lindjes, do të ndodhte një gjenocid i paparë që nga Lufta e Dytë Botërore. Dhe atë ndaj popullit shqiptar. Ndaj banorëve të qytetit të Gjakovës në natën e 2 prillit të vitit 1999. 

Në masakrën – gjenocidin në shtëpinë e familjes Vejsa në Gjakovë, mbi 60 shqiptarë të lagjes së parë në Gjakovë janë masakruar dhe djegur nga forcat serbo – malazeze. Në atë lagje u qëlluan dhe u dogjën të gjallë burra, gra e fëmijë. Shtëpia u dogj bashkë me trupat e njerëzve të gjallë e të vrarë. Këtë ditë u vranë 20 veta të familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi të strehuar në shtëpinë e Lulzim Vejsës.

Në këtë rrugë, e cila përjetësisht do të përmendet si rruga ku ndodhi masakra më e tmershme që një qenie njerëzore normale, vështirë se mund ta imagjinojë mendja njerëzore! Askush në botë  nuk mund ta imagjinojë vrasjen dhe djegien e Ritës së vogël, e cila ende nuk i kishte mbushur 2 vjeç.

Si mund të paramendohet e lëre më të harrohet vrasja e Dalinës, që pikërisht atë natë po i mbushte 2 vjeç. U vranë dhe u dogjën bashkë me shtëpitë edhe të katër anëtarët e familjes Cana dhe katër nga familja Gërçari, pastaj të familjeve Dylatahu, Qarkaxhija, Bardoniqi, Haxhija e të tjerë.

*

Shtëpia e familjes Vejsa në Gjakovë duhet të rindërtohet e të konservohet dhe të shpallet ”Shtëpi Muze”, në mënyrë që gjeneratat ardhshme të shkojnë ta vizitojnë për çdo festë kombëtare e shtetërore, për të mos harruar tmerrin – gjenocidin e datave 1 e 2 Prill të vitit 1999, që ndodhi në lagjen te Stacioni i Autobusave në Gjakovë, në shtëpinë e familjes Vejsa. Sepse duhet ta kujtojnë barbarinë dhe masakrën më të tmerrshme të luftës së fundit që ndodhi në Gjakovë!

Por edhe që kurr të mos e harrojmë gjenocidin dhe zhdukjen e gjitha atyre familjeve gjakovare – e sidomos të gjithë atyre fëmijëve, grave dhe të moshuarve të pafajshëm, nga duart e kriminelëve serbo-malazez!

*

25 vite më parë, mes natës së 1 dhe 2 Prillit të vitit 1999, në Gjakovë, në shtëpinë e familjes Vejsa u masakruan në mënyrën më barbare civilë, banorë të Gjakovës. Të vrarë dhe të djegur për së gjalli ishin nga familja Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi, Nuçi, Cana, Gërqari, Guci, Demjaha, Deda, Lleshi, Dylatahu, Tetrica, Bardoniqi, Haxhija, Çarkaxhija, Pozhegu, Kavaja, Spahiu, Haraqija, Dinaj, Aliu, Gllogjani, Thaqi dhe Muhaxheri.

Masakra ishte e planifikuar mirë dhe u bë shtëpi për shtëpi. Por në bodrumin e familjes Vejsa u vranë fëmijë, njëra ndër ta Diona që atë natë po i mbushte 2 vjeç. Katër të tjerë nën moshën 10 vjeçare: Marigona, Sihana, Arlindi dhe Delvina. Bodrumi u shndërrua në një varr të madh të gjallë, u shndërrua në një  krematorium masiv për 21 gra dhe fëmijë.

Dren Caka, atë kohë 10 vjeçar, arriti i vetmi të mbijetoj dhe shpëtoj nga kjo masakër përmes një dritare të vogël të bodrumit. Më pas ai dëshmoi para Gjykatës së Hagës tmerrin e asaj nate.

Fëmijë, gra dhe burra, pleq e plaka të këtyre familjeve të gjithë civil, të paarmatosur por vetëm pse ishin të gjithë shqiptar, kjo ishte arsyeja e vetme e masakrimit dhe djegies së kufomave të tyre!

 *

Data 2 Prill është mirë që nëse nuk është bërë deri tani, bile tash pas 25  viteve të shpallet DITA E KUJTESËS nga Kuvendi i Komunës së Gjakovës por edhe nga Kuvendi i Kosovës. Si ditë kur mbarë Kosova duhet të kujtoj dhe të mos harroj asnjëherë gjenocidin ndaj gjithë atyre civilëve të pafajshëm shqiptarë që u vranë, u masakruan, u dogjën të gjallë, u burgosën, u zhdukën dhe e deportuan nga mbarë Kosova! Vetëm pse ishin Shqiptar!

Kurse Gjakova duhet ta ketë në qendër të qytetit, sa më shpejt, një MEMORIAL TË TË GJITHË VIKTIMAVE CIVILE që humbën jetën gjatë luftës së vitit 1999, nga mbarë komuna e Gjakovës!

*

Ali Podrimja

Pëllumbat a gjuhen bre?

Ulem në rend të dytë

pse shoh më larg e

dëgjoj më mirë

pse kam zë më të fortë

Vetveten s’e ha nga mëria

as shtyhem me brryla

Më shlirë e kam se në rend të parë

Si gjuhen pëllumbat bre?

Nga karrigia ima lëvizëse

për mrekulli mat kokat tullace

dhe barqet e fryra

Është rrenë e kulluar

se unë Ali Podrimja

jam qytetar i rendit të dytë

në Planetin Ka Ka

A gjuhen pëllumbat bre?/KultPlus.com

Të ngjajshme