Adidas dhe dizajneri Willy Chavarria kërkojnë falje për akuzat e “përvetësimit kulturor” nga Meksika

11 Gusht, 2025 - 8:05 pm

Dizajneri amerikan i modës Willy Chavarria ka kërkuar falje pas kritikave për bashkëpunimin e tij me Adidas Originals në krijimin e një modeli këpucësh të quajtur Oaxaca Slip-On. Ky model ishte frymëzuar nga sandalet tradicionale prej lëkure të njohura si huaraches, të punuara nga artizanët autoktonë në Meksikë.

Kontroversia shpërtheu kur u bë e ditur se këpucët ishin prodhuar në Kinë, pa konsultim ose njohje zyrtare ndaj komuniteteve që kishin origjinuar dizajnin. Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, reagoi duke theksuar se “shumë kompani të mëdha shpesh marrin produkte, ide dhe dizajne nga komunitetet indigjene” dhe njoftoi se po shqyrtohen hapa ligjorë për mbrojtjen e tyre.

Zëvendësministrja e Kulturës së Meksikës, Marina Nunez, tha se Adidas ka kontaktuar zyrtarët e Oaxacës për të diskutuar “kompensimin për njerëzit të cilëve iu plagjiatua dizajni”. Në një deklaratë për BBC, kompania tha se “vlerëson trashëgiminë kulturore të komuniteteve indigjene të Meksikës” dhe kërkoi falje publike, duke premtuar bashkëpunim me komunitetin e Yalálag-ut për të nderuar trashëgiminë e tyre.

Chavarria, ish-nënkryetar i lartë i dizajnit në Calvin Klein dhe themelues i markës së tij, u shpreh se “qëllimi gjithmonë ka qenë të nderohej fryma kulturore dhe artistike e Oaxacës”, por pranoi se mungesa e një bashkëpunimi të drejtpërdrejtë me komunitetin përbënte “një dështim në respektimin e tyre”. Ai shtoi: “Dashuria fitohet me veprime, jo vetëm me fjalë.”

Pamjet promocionale të modelit Oaxaca Slip-On janë hequr nga rrjetet sociale të Adidas dhe Chavarria-s, ndërsa diskutimet për zgjidhjen e situatës me komunitetet indigjene vazhdojnë./BBC/KultPlus.com

Të ngjajshme