22 Gusht, 2025 - 6:57 pm
Kompania gjermane Adidas i ka kërkuar zyrtarisht falje një komuniteti indigjen në Meksikë, pas akuzave për përvetësim kulturor. Shkaku ishte modeli i ri i atleteve, i quajtur “Oaxaca Slip-On”, që kishte kopjuar dizajnin e sandaleve tradicionale të njohura si “huaraches”, të cilat prodhohen prej lëkure nga artizanët vendas.
Ky veprim shkaktoi kritika të ashpra, duke nxitur edhe reagimin e presidentes meksikane, Claudia Sheinbaum. Karen González, drejtoresha ligjore e Adidas Mexico, pranoi publikisht se modeli i këpucës ishte frymëzuar nga dizajnet tradicionale të komunitetit të Villa Hidalgo Yalalag.
“Ne e kuptojmë se kjo mund të ketë shkaktuar shqetësim dhe për këtë arsye, kërkojmë ndjesë publikisht,” tha ajo.
González siguroi se në të ardhmen, Adidas do të bashkëpunojë me komunitetet lokale për të respektuar kulturën dhe artizanatin e tyre, që shërben si një burim mbijetese. Pas këtij incidenti, këpuca u hoq menjëherë nga shitjet online, ndërsa qeveria meksikane ka njoftuar se do të kërkojë kompensim financiar nga kompania.
/rtsh.al/ KultPlus.com