23 Maj, 2025 - 1:16 pm
Administrata Trump i ka hequr Universitetit të Harvardit të drejtën për të regjistruar studentë të huaj – mes mosmarrëveshjeve në rritje me shkollën elitare.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka akuzuar Harvardin dhe universitete të tjera elitare amerikane se ndjekin një ideologji të krahut të majtë dhe lejojnë antisemitizmin në kampus. Administrata e tij i dërgoi një listë kërkesash më 11 prill shkollës, të cilat Harvardi ka refuzuar t’i miratojë.
Sekretarja amerikane e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem tha se administrata e ka shpallur Harvardin përgjegjës për nxitjen e dhunës, antisemitizmit dhe koordinimin me Partinë Komuniste Kineze në kampusin e saj.
“Është një privilegj, jo një e drejtë, që universitetet të regjistrojnë studentë të huaj dhe të përfitojnë nga pagesat e tyre më të larta të shkollimit për të ndihmuar në plotësimin e fondeve të tyre multimiliardë dollarëshe”, shkroi Noem në X.
“Harvardi kishte mundësinë për të bërë gjënë e duhur, por ai refuzoi”, tha ajo.
Universiteti ka humbur certifikimin e Programit të Studentëve dhe Vizitorëve të Shkëmbimit dhe studentët ekzistues ndërkombëtarë do të duhet të transferohen në universitete të tjera ose rrezikojnë të humbasin statusin e tyre ligjor”, tha Noem.
“Le të shërbejë kjo si një paralajmërim për të gjitha universitetet dhe institucionet akademike në të gjithë vendin”, shtoi ajo.
Në një deklaratë, Harvard tha se veprimet e qeverisë ishin të paligjshme.
“Ne jemi plotësisht të përkushtuar për të ruajtur aftësinë e Harvardit për të pritur studentët dhe studiuesit tanë ndërkombëtarë, të cilët vijnë nga më shumë se 140 vende dhe e pasurojnë Universitetin – dhe këtë komb – pa masë”, tha deklarata.
“Ky veprim hakmarrës kërcënon dëm serioz për komunitetin e Harvardit dhe vendin tonë, dhe minon misionin akademik dhe kërkimor të Harvardit.”
Më parë këtë vit, administrata Trump ngriu më shumë se 2 miliardë dollarë në grante dhe kontrata federale në Harvard. /atsh/ KultPlus.com