Agim Vinca jep dorëheqje nga PEN Qendra e Kosovës: Nuk përkon me misionin që kanë këto asociacione kudo në botë

15 Janar, 2024 - 11:17 am

Poeti, studiuesi dhe profesori Agim Vinca ka dhënë dorëheqje nga PEN Qendra e Kosovës. Sipas Vincës, kjo dorëheqje vjen për disa arsye, sidomos pasi politika që zhvillon ky asociacion nuk përkon me misionin që kanë këto asociacione kudo në botë: mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shkrimtarëve.

KultPlus ju sjell reagimin e plotë të profesorit Agim Vinca:

PEN QENDRA E KOSOVËS DHE DEGRADIMI I SAJ

Politika që zhvillon PEN Qendra e Kosovës si asociacion nuk përkon me misionin që kanë këto asociacione kudo në botë: mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shkrimtarëve. Në kohë të fundit, madje, veprimtaria e PEN Qendrës së Kosovës është krejt e kundërt me këtë mision.

Dy edicionet e manifestimit “Ora e shkrimtarit” (1, 2), si dhe seria me temë “Debat për kulturën dhe letërsinë në kohë pandemie”, e dëshmojnë plotësisht uzurpimin e këtij asociacioni nga një grup njerëzish, që luftojnë për interesa grupore e personale.

Në shenjë mospajtimi me këto veprime të grupit të instaluar brenda PEN Qendrës, jap dorëheqje nga anëtarësia në këtë asociacion, me shpresë se njerëzit që janë në krye të tij do të reflektojnë në të ardhmen.

Prishtinë, 7 shkurt 2022                                                                  Prof. dr. Agim Vinca

P. s. Teksti i kësaj dorëheqjeje, siç mund të shihet, është shkruar shumë kohë më parë, por, për shkak të insistimit të disa miqve, nuk e pata bërë publik. Tash po e shoh se kam gabuar. Grupi i paskrupull i PEN-it kosovar, peng i të cilit është edhe kryetari i tij aktual, vazhdon me sjelljen dhe veprimet e veta antikulturore.

Prishtinë, 12 janar 2024. / KultPlus.com                   

Të ngjajshme