AGK bën thirrje për zbardhjen e rasteve të gazetarëve të vdekur dhe të pagjetur

2 Nëntor, 2020 - 3:47 pm

Në Ditën Ndërkombëtare për Përfundimin e Mosndëshkimit të Krimeve ndaj Gazetarëve, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës bënë thirrje për zbardhjen e rasteve që gazetarëve ia kanë marrë jetën, duke i lënë ata të vdekur ose të pagjetur, shkruan KultPlus.

Përderisa Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka shpallur 2 nëntorin si Ditën Ndërkombëtare për Përfundimin e Mosndëshkimit të Krimeve ndaj Gazetarëve, AGK ka kërkuar drejtësi nëpërmjet një reagimi për 12 gazetarë të vrarë gjatë dhe pas luftës në Kosovë dhe 4 të tjerë që mbeten të pagjetur.

“Mosndëshkimi i krimeve të kryera ndaj gazetarëve është sinjal i keq për sundimin e rendit dhe të ligjit në Kosovë dhe barrë që rëndon në vazhdimësi mbi familjet e viktimave dhe komunitetin e gazetarëve që prej vitesh kërkojnë drejtësi”, thuhet në postimin e AGK-së.

Tutje theksohet se mos sjellja e drejtësisë ndikon në lirinë e raportimit dhe inkurajon që në të ardhmen të ndodhin sulme e kërcënime të tjera.

Në anën tjetër, ky Asociacion i cili punon për interesa të gazetarëve ka bërë thirrje ndaj organizatave ndërkombëtare në krijimin e një fondi të veçantë, në të cilën do të angazhohen gazetarët me hulumtimet e tyre në përpjekje të ndriçimit të rasteve të kolegëve të tyre.

Kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli Pustina është shprehur se për të është tejet e rëndësishme përballja e të përfshirëve në këto raste me drejtësinë.

“Edhe më herët e kam thënë se mua si përfaqësuese e gazetarëve nuk më intereson as edhe një moment se çfarë etnie ka vrasësi, çfarë religjioni mund të ketë, çfarë funksioni mund të kenë urdhërdhënësit e vrasjeve, për mua e rëndësishme është t’i shoh aty ku e kanë vendin, bashkë me kriminelët e tjerë. Këtë e presim të gjithë, sikurse familjarët ashtu edhe ne gazetarët dhe të gjithë ata që po punojnë çdo ditë, për një shtet të së drejtës ku mbizotëron rendi dhe ligji”, ka thënë Begolli Pustina.

Kujtojmë që hetimi i rasteve të drejtësive në Kosovë ka qenë përgjegjësi e UNMIK-ut, pastaj EULEX-it dhe që nga marsi i vitit 2017 kjo i takon institucioneve vendore, gjegjësisht Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumnezi, ka caktuar një prokuror-koordinator për rastet e kanosjeve apo veprave të tjera penale në drejtim të gazetarëve. /KultPlus.com

Të ngjajshme