AGK-ja reagon për rënien e Kosovës për 8 vende më poshtë në raportin e “Reporterëve pa Kufij”

20 Prill, 2021 - 12:29 pm

Kosova ka rënë sivjet për tetë pozita më poshtë sesa vitin e kaluar, sipas raportit të “Reporterëve pa Kufij”, sa i takon lirisë së mediave në botë. Kosova hyn në grupin e vendeve me situatë problematike të lirisë së shtypit.

E për këtë ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve i Kosovës.

AGK-ja thotë se renditja e Kosovës në vendin e 78-të në botë sa i përket lirisë së shtypit qëndron më mirë, duke e krahasuar me disa vende të rajonit.

“Megjithatë, rënia që ka pësuar Kosova për 8 vende në Indeks dëshmon gjendjen reale, jo të kënaqshme, të lirisë së medieve në Kosovë. Njëjtë si vitin e kaluar, raporti evidenton paqëndrueshmërinë e vazhdueshme të mediave, ku pothuajse si gjithçka tjetër në vend, mbetet e ndarë në vija etnike. Aty theksohet se qasja në informacion shpesh është e kufizuar në një grup etnik ose politik, me shumicën e mediave që raportojnë kryesisht për çështje që kanë të bëjnë me kombësinë e tyre. Disa nga shqetësimet e përbashkëta, sipas raportit, janë sulmet fizike dhe verbale ndaj gazetarëve, sulmet kibernetike ndaj mediave online, si dhe mungesa e transparencës sa i përket pronësisë së mediave”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK-ja thekson se “Sipas indeksit të ‘Reporterëve pa Kufij’, shumë media në Kosovë nuk kanë qëndrueshmëri financiare, gjë që i bën ato të ndjeshme ndaj ndikimeve politike. Shumë gazeta u ndaluan së botuari si pasojë e pandemisë COVID-19. Fati i shumë gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë konfliktit të fundit të vitit 1999 mbetet ende i panjohur, gjithashtu përmendet në raport”

Nga vendet e rajonit, sipas Indeksit, Kroacia e ka renditjen më të ulët, në vendin e 56-të. Vendet e tjera e kanë këtë renditje: Mali i Zi 104, Serbia 93, Shqipëria 83, Bosnjë dhe Hercegovina 58.

“AGK-ja vlerëson se gjetjet e këtij raporti duhet të jenë alarm për institucionet e vendit në funksion të krijimit të një ambienti më të mirë dhe të sigurt të të bërit gazetari”. / KultPlus.com

Të ngjajshme