AGK: Punojësit e mediave gjithsesi të përfshihen në Pakon Emergjente të Qeverisë

31 Mars, 2020 - 5:00 pm

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës janë shprehur të shqetësuar për mospërfshirjen e punonjësve medial në Pakon Emergjente Fiskale, të miratuar nga Qeveria në detyrë.

“Përballë një pandemie globale, vlerësojmë se punonjësit medial duhet të mbështeten nga shteti, pasi gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët, janë pothuajse në vijën e parë të frontit në këtë betejë”, thuhet në reagim.

AGK kërkon nga Qeveria në detyrë të marrë masa urgjente për të lehtësuar punën e kolegëve tanë në këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë dhe mendojmë se këto masa mund të shkojnë në dy drejtime.

“Të alokohen fonde për çdo gazetar, kameraman, fotoreporter dhe punonjës tjetër medialë në vlerë të pagës minimale, dhe mediet apo kompanitë mediatike të lirohen nga pagesa e kontributeve në dy muajt e ardhshëm. Кërkojmë që parakushti kryesor për përdorimin e përfitimeve të jetë moslargimi i gazetarëve dhe punonjësve tjerë medialë nga puna, përderisa zgjasin këto masa. AGK-ja kujton se në vendet e rajonit, Maqedonia ka aprovuar pagën minimale nga shteti (afro 250 euro) përveç pagës tjetër për gazetarët dhe punonjësit medialë, ndërkaq të gjitha mediet janë liruar nga pagesa e taksave për mediet për muajin prill dhe maj. Në anën tjetër, Mali i Zi do të sigurojë ndihmë financiare në vlerë prej afro 265 mijë euro për median malazeze.

“AGK, që nga 28 marsi, ka provuar të kontaktoj me zyrtarët e Ministrisë së Financave dhe Transfereve për të pyetur se si është paraparë çështja e gazetarëve dhe punonjësve medialë në Kosovë, por ende nuk kemi pranuar asnjë përgjigje. AGK është në dispozicion gjatë kësaj periudhe me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve të përbashkëta për të lehtësuar punën e kolegëve tanë.

Po ashtu AGK apelon tek pronarët e medieve që të tregojnë korrektësi në trajtimin e kolegëve tanë, ndërkaq u bënë thirrje gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve që ta lajmërojnë në AGK çdo padrejtësi që mund të iu bëhet atyre”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Të ngjajshme