AGK: Sulmi ndaj veturës së gazetarit është sulm ndaj interesit publik dhe demokracisë

18 Tetor, 2020 - 4:19 pm

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar ashpër sulmin me armë zjarri ndaj veturës së gazetarit të gazetës Reporteri, Shkumbin Kajtazit.

AGK vlerëson se ky sulm rëndon jo vetëm klimën e të bërit gazetari, por edhe jetën e gazetarëve, ndërsa fton organet kompetente që ta hetojnë sa më shpejt këtë rast.

“Për AGK-në, sulmi me armë zjarri në veturën e gazetarit Kajtazi është tejet shqetësues dhe rëndon jo vetëm klimën e të bërit gazetari, por rrezikon edhe jetën e kolegëve tanë. AGK fton organet kompetente që ta hetojnë sa më shpejtë këtë rast, në mënyrë që personat që kanë kryer këtë akt të dalin para drejtësisë.  Është shqetësues fakti se si brenda një periudhe prej katër muajsh kanë ndodhur dy sulme në drejtim të gazetarit, Shkumbin Kajtazi.   Secili sulm në drejtim të gazetarëve është sulm ndaj interesit publik dhe demokracisë në vend”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Asociacioni i Gazetarëve thotë se e ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës që ka konfirmuar se janë duke e hetuar ngjarjen.

Mbrëmjen e së shtunës, vetura e gazetarit Shkumbin Kajtazi është bërë cak i një sulmi me armë zjarri.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti ka thënë për Express se në vendngjarje janë gjetur gëzhoja plumbash.

Zahiti tha se prokurori ka iniciuar rastin si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe se po punohet për zbardhjen e rastit./ KultPlus.com

Të ngjajshme