“Agresioni fashist i 7 prillit të vitit 1939” në Muzeun Historik

7 Prill, 2023 - 4:00 pm

Muzeu Historik Kombëtar si institucioni më i madh i kujtesës kombëtare po organizon një cikël me leksione të hapura me temë trashëgiminë kulturore dhe historinë, të cilat do të vijojnë për ta kthyer muzeun në një qendër kërkimore dhe shkencore.

Në këtë kuadër, sot në ambientet e Pavijonit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Muzeut Historik Kombëtar u zhvillua një bisedë me prof. Bernard Zotaj, i cili mbajti kumtesën me temë:“Agresioni fashist i 7 prillit të vitit 1939”.

Ky aktivitet u organizua nga Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Shoqatën e Historianëve Ushtarakë të Shqipërisë.

Aktivitetin e çeli drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, i cili ndër të tjera tha se “pushtimi fashist italian më 7 prill 1939, ishte një ndër aktet e para agresive të fashizmit në Europë. Luftimet më të përgjakshme u bënë në Durrës, por edhe në Shëngjin, Vlorë e Sarandë. Në Durrës trupat italiane u pritën me zjarr nga Mujo Ulqinaku, kapter i marinës dhe nga Abaz Kupi, të cilët e zmbrapsën disa herë sulmin e armikut”.

Në vijim e mori fjalën prof. Bernard Zotaj, i cili mbajti kumtesën me temë: “Agresioni fashist i 7 prillit të vitit 1939”, ku përshkroi me ndjenjë e pasion luftën heroike në mbrojtje të atdheut nga pushtimi i italianëve fashistë.

Ndër të tjera Bernard Zotaj tha se “pushtimi italian i Shqipërisë (7-12 prill 1939) ishte një fushatë ushtarake nga Mbretëria e Italisë kundër Mbretërisë së Shqipërisë. Shqipëria u kapërdi shpejt, sepse Mbreti Zog I u detyrua të largohet dhe Shqipëria u bë pjesë e Perandorisë Italiane si një mbretëri e veçantë në bashkimin personal me kurorën italiane”.

Në këtë veprimtari ishin të pranishëm veteranë dhe familjarë të dëshmorëve të kombit. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme