Ahmeti: Në qoftë se vazhdohet kështu mund të merren vendime më drastike, prandaj iu lus t’i respektoni rregullat dhe distancën

15 Qershor, 2020 - 9:12 pm

Pas numrit të madh të infektimeve me virusin covid-19 që ndodhi sot në Kosovë, ka reaguar kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, i cili bën thirrje për respektim të masave, ndryshe situata mund të dalë jashtë kontrollit, shkruan KultPlus.

Postimi i plotë i Ahmetit:

Sapo e kemi marr informatën nga IKSHP sot për 129 raste të reja në Kosovë e 45 në Prishtinë. Këto janë shifra alarmante. Para se të vendosni se cili ministër ka faj, ju kisha lut të mendoni mirë për veten dhe familjet e juaja. Shumica e rasteve janë raste të kontaktit, pra vajtje ardhje me njerëz me virus. Disa janë pa simptome dhe mendojnë se nuk ka lidhje që dalin. Disa mendojnë që është konspiracion i shteteve të mëdha.

Por e vërteta është se virusi është në mesin tonë. Natyrisht, nuk kemi besuar se do të mbesim me zero raste, por edhe pakujdesi të plotë nuk kemi menduar.

Në qoftë se vazhdohet kështu IKSHP dhe Ministria mund te marrin vendime më drastike, prandaj ju kisha lut ti respektojmë rregullat, pastrimi i duarve shpesh, distanca, dhe në mungesë distance maska.

Ende po i presim detajet nga IKSHP por është e qartë që tashmë gjurmimi është më i vështirë dhe lufta me sëmundjen bazohet në vullnetin e secilit prej neve.

Lajm më pozitiv është fakti se numri i pacientëve me komplikime nuk është shtuar sikurse numri i të infektuarve dhe nuk kemi fatalitete shtesë por kjo nuk do të mbahet kështu në qoftë se rriten numrat e të infektuarve.

Ne si komuna, do të zbatojmë vendimet e qeverisë sipas rekomandimeve të IkSHP por tani mendojmë se është koha për decentralizim të testimeve në komuna dhe shtim të testeve për virus dhe testimeve serologjike. Ajo do të jetë mënyra e vetme për të kuptuar rrjedhën e virusit.

Siç po thonë edhe ekspertët, do të duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me virusin deri në vaksinë por nuk duhet të lejojmë humbje të kontrollit.

Me respekt e distance me njëri tjetrin! /KultPlus.com

Të ngjajshme