30 Korrik, 2025 - 10:00 pm
Italia ka njoftuar hapjen e një hetimi ndaj Meta-s, pas instalimit të një mjeti inteligjence artificiale në platformën WhatsApp. Autoriteti italian i konkurrencës argumenton se kjo veprimtari mund të përbëjë shkelje të rregullave evropiane të konkurrencës.
Sipas autoriteteve, në mars 2025, Meta vendosi të integronte shërbimin e saj të inteligjencës artificiale në WhatsApp, duke krijuar shqetësime se kombinimi i dy shërbimeve mund të ndikojë negativisht në tregun konkurrues.
Sipas hetuesve, ky veprim mund të zhvendosë klientelën drejt një tregu të kontrolluar nga Meta, jo përmes garës së lirë, por përmes dominimit të platformës.
Autoriteti italian thekson se ofrimi i dy shërbimeve në një paketë të vetme mund të dëmtojë konkurrentët e tjerë në treg. Nga ana e saj, Meta deklaroi se po bashkëpunon plotësisht me autoritetet dhe se inteligjenca artificiale në WhatsApp i jep miliona përdoruesve italianë mundësinë për të përdorur teknologjinë në një ambient të njohur dhe të besueshëm.
Roma po kryen hetimet në bashkëpunim me Komisionin Evropian, për të verifikuar nëse Meta ka shkelur ligjet evropiane të konkurrencës. Autoritetet italiane paralajmërojnë se përdoruesit mund të bëhen funksionalisht të varur nga AI-ja e Meta-s, pasi shërbimi përmirësohet me kalimin e kohës duke përdorur të dhënat personale, duke rritur kështu ndikimin dhe përfitimet ekskluzive të kompanisë.