‘Ajo nuk bën kompromise, vendos standarde, jo barriera por kufij, cilësi e privatësi’

9 Qershor, 2021 - 3:13 pm

Nga Ambra Hysa

Ajo është një femër Alpha!

Më impresionon mënyra delikate dhe e ëmbël sesi kujdeset për veten, sesi e kuron portretin e bukur me copëza dashurie, të njëjtën dozë që mund të pranojë edhe nga të tjerët, jo më pak, jo më shumë.
Ajo nuk bën kompromise, vendos standarde. Jo barriera por kufij, cilësi e privatësi.
Nuk ka rëndësi sa herë e sheh, gjithmonë do të magjepsesh si herën e parë.
Ka një sekret që fshihet në labirintin e shpirtit të vajzave/grave të suksesshme, ato nuk janë thjesht të bukura, mund të mos jenë fare të bukura, por janë të mahnitshme.

Një vajzë Alpha është ajo, zonjusha që vepron sipas mënyrës së saj.
She is her own Boss!
Nuk e di nëse sekretin e mban të fshehur në buzëqeshjen çarmatosëse, mendimin e strukturuar bukur, vijën melodike të fjalëve apo forcën për të ia dalë vetë mbanë në gjithçka.

Nuk e di nëse është e veçantë sepse ajo mund të jetë mikja jote më e besuar e njëkohësisht mbështetësja më e zjarrtë e objektivave të tua apo se është partnerja ideale.

Prezenca e saj gjithmonë përmirëson njerëzit rreth saj, asnjëherë nuk zvogëlon.

E ëmbël dhe e fortë, e pathyeshme por delikate, lehtësisht e lexueshme por e padeshifrueshme, mëngjes i butë pranvere kombinuar me stuhi të acartë, të gjitha aksidente, brenda një zemre të vetme.

Ajo e di fuqinë e saj!
Ajo e di që ka papërsosmëri dhe zgjedh t’i dashurojë dhe t’i përqafojë ato në mënyrë perfekte.

Është ë dashuruar me veten, mund ta kuptosh këtë në vigjilencën e saj te lartë, formën e bukur të së jetuarit, mënyrën e shëndetshme për të trajtuar veten dhe aftësinë për ti marrë vetëm energjinë diellore jetës.

Alpha është zonjusha inspiruese që e jeton jetën si një vepër arti, mbi të cilën ajo ka të gjitha të drejtat autoriale./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme