Akademia e Shkencave mbështetje dhe vlerësim trashëgimisë shqiptare në Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës

27 Shkurt, 2024 - 10:09 pm

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi zhvilloi një takim me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika dhe kryetarin e Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës, Xhemaledin Salihu.

Gjatë takimit kryetari i KKSH të Malit të Zi, Faik Nika njoftoi për mënyrën e formimit, përfaqësimin, strukturën dhe detyrat e këtij organizmi, paralelisht me këshilla të tjerë kombëtarë në Malin e Zi, si ai kroat, me detyrën dhe përgjegjësinë për mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës amtare, simboleve kombëtare, identitetit dhe pasurisë kulturore shqiptare.

“Këshilli ka tri qendra rajonale: në Ulqin, Tuz dhe Plavë. Gjuha shqipe ka përdorim zyrtar publik kudo që popullsia shqiptare arrin në 5 %. Në Malin e Zi ka tri shkolla të mesme në gjuhën shqipe, por numri i nxënësve është vazhdimisht në rënie për shkak të shpopullimit nga emigracioni dhe të asimilimit”, tha Nika.

Nika kërkoi bashkëpunim nga ASHSH për organizimin e konferencave të përbashkëta dhe të promovimeve, për praninë e botimeve akademike në të vetmen librari të librit shqip në Ulqin dhe në bibliotekën e qytetit, për pjesëmarrjen e autorëve shqiptarë si hartues tekstesh për mësimdhënie për historinë kombëtare duke filluar prej manualeve me karakter plotësues të programeve zyrtare, si dhe mbështetje për plotësimin e kërkesave për identitet e zhvillim shpirtëror.

Në vijim, kryetari i Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë, Xhemaledin Salihu foli për përvojat e shoqatës që ai drejton, duke theksuar se problemet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, megjithëse vazhdim i të njëjtave tradita organizimi si në bashkësinë e shqiptarëve në Mal të Zi, janë më të ndërlikuara.

Ai vlerësoi pjesëmarrjen e studiuesve të ASHSH në konferencën e vjetshme kushtuar personaliteteve shqiptare nga Presheva dhe rolin e saj si inkurajuese e veprimtarive shkencore, duke përfshirë pjesëmarrjen domethënëse që është konfirmuar edhe për këtë vit. Kryetari Salihu tha se pritet më shumë mbështetje e gjithanshme nga Shqipëria e Kosova për zhvillimin e shqipes në shkolla, mësimin e historisë kombëtare, zbulimin e promovimin e vlerave të identitetit etj.

Kryetari Gjinushi falënderoi përfaqësuesit e dy bashkësive shqiptare për njohjen me problemet e tyre dhe siguroi se mbështetja e Akademisë për fuqizimin e këshillave/ shoqatave që drejtojnë do të jetë gjithnjë e pakursyer.

Gjinushi theksoi se shqiptarët në Luginën e Preshevës, sa i përket trashëgimisë dhe identitetit, kanë të drejtë të kërkojnë po aq sa kërkon Beogradi për serbët në Kosovë.

Duke iu përgjigjur kërkesave për një rol nxitës lidhur me identitetin dhe trashëgiminë nga ana e Akademisë së Shkencave kryetari Gjinushi tha se “hartimi i “Enciklopedisë shqiptare”, vepër madhore në albanologji, është një mundësi me rëndësi parësore për t’u dhënë shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi gjithë vendin dhe hapësirën që meritojnë: në histori, tradita, kulturë e arte, qofshin si personalitete, qofshin si ngjarje a zhvillime”.

“Trashëgimia shqiptare në Malin e Zi dhe në Luginën e Preshevës, sipas ndarjes territoriale të punës midis dy redaksive vendore, ndiqet nga redaksia e Prishtinës, por në çdo rast jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë e të na ndihmoni për një paraqitje dinjitoze. E njëjta gjë vlen edhe për projektin “Histori e shqiptarëve”, një vepër integrale që po përmbyllet. Por hapi tjetër mund të jetë hartimi i historive më të lokalizuara, si “Historia e shqiptarëve në Luginën e Preshevës” apo në Mal të Zi, që është një mundësi tjetër për të thënë të vërtetat tona. Për fat ne nuk e kemi të nevojshme të shpikim apo të sajojmë, sepse historisë sonë i mjafton e vërteta. “Fjalori i madh i shqipes” po përfundon, por dialektet e të folmet janë trashëgimi plotësuese dhe do të shërbejnë gjithnjë për pasurim”, theksoi Gjinushi.

Lidhur me disa kërkesa më konkrete të kryetarit Salihu, Gjinushi u shpreh se krahas konferencave shkencore, që shpesh duket sikur organizohen për t’i mbushur mendjen njëri-tjetrit, do të ishin shumë të dobishme bashkëbisedimet me një prani më të gjerë, nga intelektualë të zotë, akademikë e profesorë tanët, në formën e ligjëratave të hapura.

“Botimet e Akademisë do të jenë në bibliotekën publike të qytetit, në shërbim të intelektualëve e studiuesve. Nënshkrimi i një memorandumi është i realizueshëm, por më e dobishme është që çdo fillim viti të bëjmë të njohur reciprokisht programin e veprimtarisë dhe mbi bazën e tyre të identifikojmë aktivitetet ku duhet të jemi të pranishëm”, tha Gjinushi.

Ky propozim u mirëprit si nga kryetari i KKSH në Malin e Zi, Faik Nika, ashtu dhe nga kryetari Salihu.

U ra dakord që gjatë muajve në vijim të promovohet në Tiranë botimi me aktet e konferencës kushtuar albanologut kroat Milan Sufflay, organizuar në maj 2022 nga KKSH, me pjesëmarrjen e shumë studiuesve nga ASHSH.

Në Mal të Zi është e mundshme të organizohen edhe ekspedita arkeologjike, gjuhësore dhe antropologjike, në vijim të dy të tillave organizuar më parë. Kjo është përfshirë edhe në marrëveshjen me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të MZ, me mirëkuptim të të dyja palëve. Botimet akademike, që janë dërguar rregullisht në bibliotekën e qytetit të Ulqinit dhe në bashkinë e Tuzit, do të jenë edhe në dispozicion të KKSH.

Promovimet e botimeve dhe të personaliteteve janë një tjetër mundësi për të vënë në lëvizje vlerat e botës shqiptare kudo që gjenden./KultPlus.com

Të ngjajshme