Akademia e Shkencave përkujton Hasan Cekën, themeluesin e arkeologjisë shqiptare

25 Gusht, 2025 - 11:20 pm

Akademia e Shkencave kujtoi sot arkeologun Hasan Ceka, në 125-vjetorin e lindjes. Ai njëkohësisht njihet edhe si njeriu që vuri themelet e arkeologjisë shqiptare.

Hasan Ceka studioi në Vjenë dhe pas kthimit në Shqipëri, në vitin 1930, punoi në Bibliotekën Kombëtare. Ai krijoi një koleksion arkeologjik, të cilin edhe sot e trashëgon Biblioteka e Institutit të Arkeologjisë. Në të njëjtën kohë përfaqësoj Shqipërinë pranë misioneve të huaja në Apoloni e Butrint.

Në vitin 1947 drejtoi ekspeditën e parë arkeologjike në Apoloni si dhe punën për krijimin e Muzeut Arkeologjik Etnografik në Tiranë. Në 1956-të rikthehet në Apoloni dhe do t’i kushtonte qytetit antik tërë veprimtarinë e tij kërkimore e studimore. Prof. Cekës i takon në të njëjtën kohë edhe merita e zbulimit të një kompleksi arkitektonik në afërsi të ndërtesës së Agonoteteve, gjithashu edhen nimfeut të qytetit dhe e shumë monumenteve të tjera.

Krahas gërmimeve në Apoloni prof. H. Ceka tregoi një kujdes të veçantë për grumbullimin dhe ruajtjen e trashëgimisë sonë monetare antike e mesjetare. Ai ishte një specialist i studimit të monedhave antike, dhe këto studime ai i kurorëzoi me botimin e veprës së njohur “Probleme të numizmatikës ilire” të botuar më 1965 si dhe gjithashtu ai përgatiti edhe veprën “Monetat e Dyrrahut dhe Apollonisë”.

Prof. H. Ceka ishte njohës i mirë i greqishtes së vjetër dhe latinishtes duke u bërë kështu një nga bashkautorët kryesorë në përkthimin dhe përgatitjen në shqip të vëllimit “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”.

Ai është autor i shumë artikujve, studimeve e kumtesave të botuara në revistat shkencore brenda e jashtë vendit. Këto studime janë përmbledhur e botuar në vëllimin “Në kërkim të historisë ilire”.

Prof. Hasan Ceka u nda nga jeta më 2 nëntor 1998./KultPlus.com

Të ngjajshme