Akademia e Shkencave, veprimtari kushtuar poetit Lasgush Poradeci

28 Maj, 2025 - 4:49 pm

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u mbajt një ligjëratë me temën “Zog i qiejve – Lasgush Poradeci ndërmjet pikturës dhe poezisë”.

Veprimtaria u organizua nga Komisioni i Arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave, dhe u moderua nga gazetarja Anisa Ymeri.

Studiuesja e artit Suzana Varvarica solli në vëmendjen e të pranishmëve vlerësimin që i ka bërë Lasgushit, shkrimtari i madh Ismail Kadare.

“Gjer më sot Lasgush Poradeci ka mbetur për mua njeriu më i jashtëzakonshëm, më i ndërlikuar e më i pakuptueshëm që kam njohur… Duke e parë, dhe sidomos duke e dëgjuar, gjithmonë mendoja se si ishte e mundur që njeriu ballkanas, njeriu shqiptar, të arrinte një ndërlikim të tillë, përkryerje, mëvetësi dhe mister”, shkruante Kadareja.

Varvarica theksoi se Lasgush Poradeci në vitet ’30 të shekullit XX ishte poeti më i njohur shqiptar. Vargjet e tij poetike lexoheshin ethshëm nga rinia studentore e kohës. Më tej, studiuesja paraqiti një vështrim të shpejtë mbi kohën e jetës së Lasgush Poradecit dhe në kohët e krijimtarisë së tij në artet pamore, të cilat kanë qenë shumë të rëndësishme për poetin artist. Këto kohë përfshijnë krijimtaritë e kryera gjatë qëndrimit të tij në Greqi, Rumani, Austri, Shqipëri në vitet ’40 e në vijim.

Studiuesja e njohur spikati në ligjëratën e saj fijet që i lidhin zhanret e artit të Lasgushit me njëri-tjetrin. Ajo vuri në dukje se të gjitha subjektet e personazheve femërore që pikturoi e vizatoi, e gjejnë psikën e tyre në vargjet e derdhura në poezitë e cikleve “Ylli i zemrës” dhe “Zemra e ime”, duke mos i anashkaluar të gjitha ciklet e tjera të botuara në veprat madhore të poezive filozofike dhe baladave.

Gjatë ligjërimit u lexuan poezi të Poradecit nga e bija, Maria Gusho dhe moderatorja Anisa Ymeri.

Ligjërata u mbyll me diskutimet për persekutimin e heshtur dhe indiferentizmin shtetëror ndaj personalitetit të tij si doktor i shkencave filozofike dhe si një poet brilant i ndjenjave njerëzore të derdhura në vargje, ku psikologjia njerëzore është kryefjala e tyre./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme