Aktori australian, Julian McMahon vdes në moshën 56-vjeçare

5 Korrik, 2025 - 12:28 pm

Aktori australian Julian McMahon, i famshëm për rolet në seriale të njohura si “Nip/Tuck” dhe “Charmed”, ka vdekur në moshën 56-vjeçare, sipas BBC.

Bashkëshortja e tij tha se aktori vdiq të mërkurën në Clearwater, Florida. Ai ishte diagnostikuar me kancer.

“Julian e donte jetën. Ai e donte familjen e tij. Ai i donte miqtë e tij. Ai e donte punën e tij dhe i donte fansat e tij. Dëshira e tij më e thellë ishte të sillte gëzim në sa më shumë jetë të ishte e mundur”, tha Kelly Paniagua në një deklaratë të publikuar nga “Deadline”.

Karriera e McMahon mori hov me serialin televiziv mbinatyror “Charmed” përpara se të fitonte njohje më të gjerë me “Nip/Tuck”, dramën mjekësore në të cilën ai luajti rolin e kirurgut plastik, Dr. Christian Troy.

Për gjashtë sezone nga viti 2003 deri në vitin 2010, seriali i dha atij një nominim për “Golden Globe”.

McMahon gjithashtu luajti rolin e Dr. Doom në dy filma “Fantastic Four” në 2005 dhe 2007 dhe më vonë u shfaq në tre sezone të “FBI: Most Wanted”.

McMahon ishte djali i një ish-kryeministri australian. Ai luajti rolin e një kryeministri australian në “The Residence” në Netflix – një nga rolet e tij të fundit.

McMahon u martua tre herë – bashkëshortja e tij e parë ishte këngëtarja dhe aktorja australiane Danni Minogue, e cila është motra e Kylie Minogue. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme