Aktorja Xhuvani lexon poezinë e Reshpjes për bibliotekën audiodigjitale të fëmijëve që nuk shikojnë

10 Mars, 2024 - 1:30 pm

Për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve të Institutit të Nxënësve që Nuk Shikojnë është krijuar biblioteka audiodigjitale.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu sjell në rrjetet sociale intepretimin emocionues të aktores së Teatrit Kombëtar, Luiza Xhuvani, e cila lexon poezinë “Ku ishe ti” të poetit Frederik Reshpja, për pasurimin e bibliotekës audiodigjitale për fëmijët që nuk shikojnë.

“Faleminderit që iu bashkove nismës sonë “Dhuro zërin”. Ti lexon një herë, ata dëgjojnë me mijëra here”, shkruan ministrja Manastirliu.

https://fb.watch/qJob1PpZJz/?mibextid=v7YzmG

Ku ishe ti?

Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hënë?
Në ç’hënë barisnje vallë?

Ku ishe ti kur vizitova profilin tënd
Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?

Pastaj erdhi nata e mbushur me mungesën tënde
Pastaj erdhi prap
dhe kështu ka për të qenë deri në ditën e fundit të netëve.

Zbrita tek kroi duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit
Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujërave.

Lisi plak lëshoi përdhe kurorën e vjeshtës
Si një sovran që abdikon.

Ani, mua më zuri ky mallkim.
Po qysh bën pylli pa ty? Si del vjeshta?
A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë?
Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet?
Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët?

Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët! / KultPlus.com

Të ngjajshme