Akuadukti i Bënçës, vepra hidrike e shekullit XIX, i shpallur Monument Kulture

4 Shtator, 2025 - 11:27 am

Ujësjellësi i Bënçës, i njohur ndryshe edhe si “akuadukti”, është Monument Kulture i Kategorisë së Parë që ngjall interes për vizitorët e kësaj zone. Ujësjellësi ndodhet në krahun e djathtë të rrugës kur shkon për në fshatin Bënçë.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër shpërndau në rrjetet sociale pamje nga ajri të këtij monumenti kulture. Akuadukti është një vepër hidrike e shekullit të 19-të, e cila ka shërbyer për të çuar ujin në kalanë e Tepelenës.

Monumenti është në formën e një ure, e cila përbëhet nga kanali i ujit, këmbët e monumentit, dhe ura mbi të cilën janë ngritur disa prej këmbëve të monumenti, në pjesën ku kalon lumi i Bënçës. Kanali i ujit është është ndërtuar me gurë të vegjël dhe beton dhe mbahet nga 21 këmbë ose kolona, të cilat po ashtu janë ndërtuar me gurë të vegjël të lidhur me llaç. Këto kolona janë katërkëndëshe, të lartësive të ndryshme, lartësi të cilën e marrin në varësi të pjerrësisë së terrenit. Në pjesën ku kalon kanioni i lumit, këmbët e monumentit janë të ngritura mbi një urë./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme