Albanian Excellence me mbrëmje homazh për viktimat e tërmetit

2 Dhjetor, 2019 - 9:50 pm

21  Zonja me titullin “Zonjë që bën Shqiptarinë “ respekt për të ikurit, ndihmë për të dëmtuarit.             

Albanian Excellence do të organizojë një mbrëmje Homazh dhe simbol natën e 12 dhjetorit në Hotel Mak Albanian,  në kujtim të viktimave që humbën jetën tragjikisht në tërmetin e mëngjesit të 26 nëntorit që preku pjesën qëndrore të vendit . ”Do jetë një natë homazh dhe símbol për të humburit nga kjo tragjedi”,u shpreh ideatorja dhe organizatorja e këtij eventi, Flora Nikolla.

“Kjo datë ishte caktuar si data që ne do të nderonim 21 gra me titullin akorduar nga Albanian Excellence, Zonjë që bën Shqiptarinë. Por në situatën tragjike të krijuar, menduam të ishte një mbrëmje Homazh, ku zonjat të nderonin viktimat , të mund të jepnin mesazhe mirësie e të vazhdimit të jetës, të ndërmarin  iniciativa për vitin 2020, me moton: Rikthimi i buzëqeshjes së venitur”, cilësoi Nikolla.

Në këtë mbrëmje Homazh kanë konfirmuar pjesmarrjen rreth 21 zonja të cilat Albanian Excellence i ka nderuar me titullin Zonjë që bën Shqiptarinë. Ato vijnë nga Shqipëria, Kosova , Maqedonia e Veriut, Malí i Zi , Franca dhe janë Zonja me një karrierë brilante profesionale dhe njerëzore. Në këtë mbrëmje simbol ato do të jenë të veshura me fustan të zi, ndërsa si simbol në duar do të mbajnë një trëndafil  të kuq . Kjo mbrëmje Homazh ku do të krijohet në fund dhe një bankë idesh në ndihmë të dëmtuarëve nga tërmeti, do të drejtohet nga gazetarët Rezear Xhaxhiu (Shqipëri) dhe Merita Çoçoli( Maqedonia e Veriut ) .

Të ftuar specialë të kësaj mbrëmje janë, këngëtarja nga Kosova, Shpresa Gashi dhe kantautori arbëresh Santino de Bartolo. Të gjitha të ardhurat nga kjo mbrëmje Homazh , do të shkojnë në ndihmë të të dëmtuarëve nga tërmeti . Sipas organizatorëve, kjo është një mënyrë shumë efikase jo vetëm për të nderuar zonjat , por njëherazi dhe që ato vetë me vlerat që bartin të jenë në funksion të situatës më shumë se emergjente që po kalon vendí pas dëmeve të konsiderueshme që krijoi tërmeti i 26 nëntorit ./KultPlus.com

Të ngjajshme