Albanologu Brian D. Joseph, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave

4 Nëntor, 2022 - 8:30 pm

Albanologu Brian D. Joseph u pranua anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me vendim të Asamblesë më 27 nëntor 2021.

Ceremoninë e çeli Aristotel Spiro, që paraqiti kontributet shkencore të albanologut amerikan Brian D. Joseph. Ai e quajti Brian D. Joseph, nga mendjet më të ndritura të albanologjisë moderne që me mprehtësinë e mendimit të tij ka rishikuar dhe saktësuar mjaft nga konceptet bazë të gjuhësisë teorike dhe ka kontribuuar që këto koncepte të perceptohen në një mënyrë më realiste

Vetë Brian D. Joseph paraqiti ligjëratën akademike “Rëndësia e shqipes për mua dhe për të gjithë: jeta ime me gjuhën shqipe dhe me gjuhësinë shqiptare”.

Ai e përcaktoi studimin e gjuhës shqipe me rëndësi të veçantë në njohjen e zhvillimit të njerëzimit dhe profilit të vetë shqipes në trungun e gjuhëve indeuropiane.

Pas këtyre ligjëratave dhe përshëndetjeve të akademikëve Matteo Mandalà, Francesco Altimari (online) e akademiku Shaban Sinani, si dhe albanologut rus Alexander Rusakov, albanologut Brian Joseph iu dorëzua diploma nga kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi që e përgëzoi për kontributin e tij në hulumtimet akademik dhe kërkimet në terren.

Gjinushi u shpreh se “duke gërshetuar hulumtimin akademik me kërkimin në terren, Brian D. Joseph ka zbuluar anë të panjohura të ndërveprimit të gjuhëve në kufi dhe të rolit të  kontaktit ndërgjuhësor në kontekstin e marrëdhënieve të gjithanshme të shqiptarëve me popujt e tjerë të Ballkanit”.

“Është një rritje e cilësisë shkencore të Akademisë sonë anëtarësimi i prof. Brian. Jemi më se të bindur që ardhja e tij në gjirin e botës sonë akademike është tregues i një përparimi tashmë të dukshëm në rrugën e reformimit të Akademisë për të mirën dhe forcimin e kërkimit shkencor në planin kombëtar dhe ndërkombëtar”, shtoi ai

“Si vazhdues i traditës më të mirë amerikane të studimeve shqiptare, ai e ka ndikuar për të nxitur dhe vendosur lidhje të qëndrueshme ndër-albanologjike. Shqipja në kontekst të gjuhëve indoeuropiane; shqipja dhe lidhja gjuhësore ballkanike; shqipja dhe gjuhët me ndikim për shkak të fqinjësisë historike; dialektet e shqipes; shqipja në studime krahasimtare, janë disa nga fushat në të cilat Brian D. Joseph shquhet si kontribues cilësor”, theksoi ai.

Të ngjajshme