Albin Kurti prezanton planin qeveritar për punësim

16 Korrik, 2022 - 7:30 pm

Kryeministri Albin Kurti, përmes një video-mesazhi, ka paraqitur skemën e re për punësim për të gjithë qytetarët e Kosovës, shkruan KultPlus.

I pari i ekzekutivit synon që çdo familje të ketë së paku një anëtar të punësuar.

Kurti ka thënë se çdo familje që nuk ka së paku një të punësuar, shteti do t’ia subvencionojë deri në 70 për qind të pagës bruto, pra deri në 300 euro për periudhën gjashtë mujore.

“Punësim dhe drejtësi janë prioritetet tona sepse këto janë kërkesat tuaja. Po e nisim skemën e radhës në mbështetje të qytetarëve: Qeveria për familjet. Në kuadër të masave të punësimit, synojmë të garantojmë që çdo familje e Republikës sonë ka së paku një anëtar të punësuar.

Nëpërmjet kësaj skeme, ne do të subvencionojmë deri në 70 për qind të pagës bruto të punëtorit, maksimumi 300 euro për gjashtë muaj me radhë”, ka thënë Kryeministri.

Ai gjithashtu njoftoi se kushti kryesor për të përfituar nga kjo skemë është që punëkërkuesi nuk ka të punësuar asnjë anëtar të familjes.

“Nga e hëna krejt cka duhet të bëni ju që kërkoni punë e që e plotësoni këtë kusht është të dërgoni dokumentet përkatëse në zyrat e punësimit në komunat tuaja. Ministria e Financave të hënën do të ndajë me ju të gjitha informatat e nevojshme”. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme