Albumi i ri i Kylie Minogue lansohet më 6 nëntor

22 Korrik, 2020 - 4:30 pm

Këngëtarja 52-vjeçare, Kylie Minogue, e ka konfirmuar lajmin se albumi i saj i pesëmbëdhjetë i incizuar në studio, “DISCO”, do të lansohet më 6 nëntor të këtij viti.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ylli australian i muzikës ka deklaruar: “A jeni duke pritur t’iu them diçka??? Albumi im i ri ‘DISCO’ do të lansohet më 6 nëntor, dhe do të jetë i gatshëm për t’u para-porositur nga mëngjesi i së enjtes”.

Incizimi i ardhshëm e rikthen këngëtaren Minogue në rrënjët e para të karrierës, si dhe vjen pas albumit të saj të fundit të lansuar në vitin 2018, “Golden”, transmeton Koha.

Sipas një burimi të afërt, bëhet e ditur se Kylie ka punuar intenzivisht në muzikën e saj të re, dhe këta muajt e fundit gjithçka është finalizuar me sukses. Ndërkaq, kënga e parë e albumit e cila e mban titullin, “Say Something”, do të publikohet për gjithë adhuruesit të enjten më 23 korrik.

Minogue gjatë karantinës është mësuar si ta incizojë dhe prodhojë vokalin e saj. Ndërsa, për realizimin e albumit të ri, ajo ka punuar me producentin e njohur, Mousse T, DJ italian Alex Gaudino dhe producentin francez të këngëtares Madonna, Mirwais.

Në muajin maj, ylli i hitit “In Your Eyes” e kishte bërë të ditur lajmin se albumi i saj i shumëpritur, do të përfshinte këngë të zhanrit ‘disco’. Së fundmi ky zhanër është rikthyer në skenën botërore muzikore, falë edhe albumeve të artisteve të reja si, Dua Lipa dhe Doja Cat.

Të ngjajshme