Alec Baldwin mund të mos e ketë tërhequr këmbëzën e armës që i mori jetën kineastes

21 Shkurt, 2022 - 8:30 pm

Alec Baldwin mund të ketë qëlluar me plumbin që vrau kineasten e “Rust” Halyna Hutchins pa e tërhequr këmbëzën e armës, thotë një prokurore e Nju-Meksikos.

Prokurorja e qarkut në Santa Fe, Mary Carmack-Altwies tha për Vanity Fair se ajo kishte parë intervistën e Alec Baldwin me ABC në dhjetor dhe i bëri përshtypje pretendimi i aktorit se ai nuk e tërhoqi këmbëzën.

“Ju mund ta tërhiqni çekiçin mbrapa pa e tërhequr këmbëzën dhe pa e mbyllur atë,” tha Carmack-Altwies. “Kështu që ju e tërhiqni atë pjesërisht, nuk bllokohet, dhe më pas nëse e lini të lirë, kunja e qitjes mund të godasë plumbin.”

Prokurorja nisi një hetim jozyrtar për të testuar pretendimet e Baldwin se ai nuk e kishte tërhequr këmbëzën. Baldwin këmbënguli në intervistë se nuk e tërhoqi këmbëzën në asnjë moment.

“Unë kurrë nuk do t’i drejtoja armën askujt dhe ta tërhiqja këmbëzën drejt tij, kurrë,” tha aktori.

Rezultatet zyrtare të një analize të armës nga FBI nuk janë publikuar ende.

Avokatët e familjes së Halyna Hutchins ngritën një padi kundër Alec Baldwin, pavarësisht pretendimeve të tij se ai nuk e tërhoqi këmbëzën. / KultPlus.com

Të ngjajshme