Alketa Xhafa: Në Kosovë artistët mbesin jashtëzakonisht të izoluar nga politikat e regjimit me viza

31 Dhjetor, 2020 - 10:00 pm

Suada Qorraj

E rritur në një ambient ku arti ishte pjesë e përditshmërisë së saj, Alketa Xhafa – Mripa sot ka arritur të jetë një nga artistet që po përfaqëson në mënyrën më dijnitoze Kosovën jashtë kufijve. Ajo është bërë zëri i tregimeve të shumta që tregojnë jetën e grave, përjetimet e tyre gjatë luftës, por edhe dhunën që sot është ende pjesë e shoqërisë tonë.

Në një intervistë për KultPlus, Alketa Xhafa – Mirpa ka shpalosur rrugëtimin e saj në art që në fillet e para, arsyet se pse pikërisht në artin e saj trajton tema me rëndësi shoqërore, por pa lënë anash edhe sukseset e shumta që ka pasur në këtë vit.

KultPlus: Tash e një kohë arti dhe ju jeni bërë një, a mund të na rrëfeni më tepër rreth filleve tuaja në art? Si ishte rrugëtimi që nga fillimi e deri sot?

Alketa Xhafa – Mripa: Gjatë fëmijërisë e jetës në një sistem tjetër nga sot, jam rritur poashtu përballë një arti ndryshe që frymonte në shtëpinë time. Krahasuar me format tradicionale që shoqëria i njihte dhe praktikonte, të tilla si piktura, skulptura ose vizatimi, babi im, piktor, përdorte gjithçka në veprat e tij, nga rrobat e përditshme, lojërat/ kukullat e mia  e deri tek enët e kuzhinës.

Figurën e tij e përjetoja si revolucion, për një kohë e shoqëri të kontrolluar nga shteti. Çka ai bënte ishte tërësisht e tija. Puna dhe vepra e tij ma krijuan e zhvilluan dashurin për artin, por edhe rëndësinë e të qenit ndryshe në një kohë kur konformiteti vlerësohej më shumë, e madje edhe imponohej. Për shkak të rrethanave socio-ekonomike të kohës ai po dilte me diçka të re, një medium të ri, që ishte misterioz. Më kujtohet si e vogël më thoshte se gjëja më e fortë dhe më e rëndësishme që askush nuk mund të ta marrë është krijimtaria/origjinaliteti, mendimet dhe idetë e tua brenda mendjes. Mendja është unike. Askush nuk mund të përfaqësojë të njëjtën ide në të njëjtën mënyrë! Origjinaliteti ishte mënyra e tij për ta ndrequr realitetin.

Rrugëtimi im nuk ka qenë i lehtë, pavarësisht ekspozimit tim ndaj artit dhe rritjes në një ambient familjar ku arti ka pasur rëndësi primare, ai ka qenë edhe revoltë, pakënaqësi ndaj sistemit, padrejtësive. Gjenerata ime në përgjithësi jemi rritur e edukuar përballë një opresioni që na ka mundësuar t’i shohim gjërat nga një këndvështrim i qëndrueshëm, por edhe rebel. Nga ky rrugëtim arti është transformuar në një gjuhë të cilën kam zgjedhur ta flas, nevojë për t’i bërë të dukshme gjërat që fjalët nuk kanë fuqi t’i thonë. Rrugëtimi dhe rritja ime artistike më kanë orientuar vazhdimisht në motivin e veprës time e cila vazhdimisht synon t’i vë në pah të vërtetën, të humburën, dhe të harruarën.

KultPlus: Arti juaj gjithmonë ka prekur tema si emigracioni, refugjatët e dhunimet e bëra gjatë luftës. Pse pikërisht jeni fokusuar në këto tema, cila ka qenë arsyeja që ju ka shtyrë t’i vendosni në qendrën e artit tuaj?

Alketa Xhafa – Mripa: Frymëzimi im për të trajtuar tema që më prekin nga një sens individual e kolektiv vije çdo herë nga jeta e përditshme: gjëra që më nxisin, që më ngacmojnë, tema që nuk fliten e rikrijojnë padrejtësi ndaj komuniteteve të ndryshme, shpesh të margjinalizuara e të heshtura nga politikat shoqërore. Arsyeja çdo herë mbetet e njëjtë, për t’i zbuluar konfliktet e brendshme e të përjetuara në shoqëri, për ta transformuar me fuqinë e artit një element të heshtur e të padukshëm të cilin arti e bën më së miri, e zhvendos në një nivel të ri dhe kontribuon në pjesëmarrje, vetëdije e qasje kolektive ndaj trajtimit të problemit. Unë e kam kuptuar dhe përjetuar si artiste por edhe si qytetare aktive, rëndësinë që arti dhe artistët kanë për t’i luftuar e triumfuar padrejtësitë.

KultPlus: Përgjatë këtij viti instalacioni juaj “Thinking of You” ka udhëtuar në shumë vende të botës duke paraqitur kështu historinë e dhunimeve të grave në luftën e fundit në Kosovë. A mund të na tregoni se sa e rëndësishme ishte për ty kjo vepër dhe udhëtimi i saj në vende të ndryshme?

Alketa Xhafa – Mripa: Rëndësia e veprës “Thinking of You” mbetet e përjetshme dhe pesha e saj në artin tim çdo herë e më shumë bëhet më fuqishme, sepse forma përmes së cilës është realizuar fillimisht në Kosovë po reflektohet më shumë e më shumë ndërkombëtarisht, duke i dhënë kështu vëmendje neglizhimit e padrejtësive që ky komunitet fatkeqësisht edhe sot përjeton. Komunitete të tjera në botë që punojnë në zbardhjen dhe luftimin e padrejtësive të ngjashme kanë mirëpritur këtë instalacion duke i dhënë hapësirë realizmit në kontekst lokal, gjë që për mua është një arritje komplete e artit si mision sepse përtej mediumit artistik ka udhëtuar bashkë me të edhe tregimi për gratë e dhunuara dhe krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.

KultPlus: Ky vit për ju ka qenë i mbushur me aktivitete të shumta e njëra ndër to ishte edhe instalacioni me titull “Kurrë s’je e re për me pri e me pru drejtësi”. Fillimisht a mund të tregoni se si ju lindi ideja që të krijoni një instalacion të tillë?

Alketa Xhafa – Mripa: Synimi çdo herë në një projekt të tillë mbetet të shfaqet potenciali i grave dhe vajzave të reja përmes artit publik si mekanizëm fuqizues, ku merr vëmendje edhe fuqia e aktivizmit për të përshpejtuar ndryshimet shoqërore përmes përfshirjes së grave dhe vajzave.

Me këtë projekt amplifikohen zërat e grave dhe vajzave të reja në udhëheqjen dhe nxitjen e një bote që është e rëndësishme për to dhe brezat e ardhshëm. Në këtë aktivitet janë ftuar gra e vajza të reja të ngrisin zërin për të drejtat e tyre dhe të thyejnë kufijtë e ndërtuar nga stereotipet dhe paragjykimet. Falë aktiviteteve të tilla ku arti shërben si hapësirë dhe platformë e sigurtë, zërat e vajzave dhe grave jehojnë përtej parashikimeve e planifikimeve të shoqërisë e patriarkatit.

KultPlus: Sipas jush ku dallon arti në Londër me artin që zhvillohet në Kosovë?

Alketa Xhafa – Mripa: Dallimet janë të dukshme nganjëherë krahasimi mund të jetë banal sepse në Kosovë mungon shumë mbështetja institucionale për artistët por edhe hapësirat ku arti gjen më shumë rrugë e kanale për t’u zhvilluar. Njëkohësisht artistët në Kosovë mbesin jashtëzakonisht të izoluar nga politikat e regjimit me viza, qasja në programe e fonde ndërkombëtare pothuajse nuk ekziston. Por kjo nuk ka pamundësuar që arti që zhvillohet në Kosovë të mos ketë dimensione të artit që zhvillohet në Londër.

KultPlus: Cili është roli i artistëve në shoqëri sipas jush?

Alketa Xhafa – Mripa: Artistët janë vizionarë dhe aktivistë, ata luajnë një rol të jashtëzakonshëm, veçanërisht në kohëra të vështira. Por roli i tyre është çdo herë më i zbehur e i pamundur pa përkrahjen e shoqërisë dhe komunitetit, e institucioneve përkatëse.

KultPlus: A mendoni se shoqëria jonë ka punuar mjaftueshëm për të mundësuar sjelljen e drejtësisë ndaj grave të dhunuara në luftën e fundit në Kosovë?

Alketa Xhafa – Mripa: Shoqëria dhe njerëzit në Kosovë, duke përfshirë aktivistë, komunitetin artistik e shoqërinë civile kanë treguar solidaritetin e duhur dhe gatishmërinë për ta përkrahur komunitetin e grave të dhunuara gjatë luftës por kjo përkrahje nuk mjafton asnjëherë krahas përjetimeve të tyre gjatë luftës, dhe përgjatë njëzet viteve të fundit. Mbështetja duhet të zgjerohet në mekanizma institucional dhe të merr më shumë vëmendje në trajtimin juridik të krimeve të luftës, sidomos për ata që ende mbesin të lirë dhe të padënuar për krimet e kryera. Vëmendja shoqërore duhet të jetë e përbashkët me institucionet dhe fuqinë politike në vend, në mënyrë që padrejtësitë të trajtohen në mënyrën e duhur. Përkrahja për gratë e dhunuara duhet të mbetet e përjetshme dhe fryma e njëjtë e përkrahjes të përcillet ndër breza.

KultPlus: Sipas jush a ka shënuar shoqëria kosovare progres në aspektin e emancipimit të gruas?

Alketa Xhafa – Mripa: Po, por jo dhe i burrave për gratë. Shoqëria kosovare ka nevojë të edukojë sa më shpesh e më shumë burrat qysh në fëmijëri të hershme mbi të drejtat e grave dhe barazinë gjinore.

KultPlus: Cilat janë planet e juaja në të ardhmen, çka do të presim nga Alketa?

Alketa Xhafa – Mripa: Momentalisht jam duke punuar në një libër shumë të veçantë e për të cilin jam dedikuar plotësisht. Libri përfshin tregimet mbi gratë shqiptare në Kosovë, pionere të profesioneve të ndryshme të cilat kanë ndërtuar themelet e shoqërisë sonë dhe i kanë hapur rrugë emancipimit të gruas. Qëllimi i këtij libri artistik s’është vetëm informativ, por do të realizohet në nder të kontributit të grave të cilat kanë thyer paragjykimet dhe pritshmëritë e një shoqërie që vazhdimisht i kufizonte ato në role tradicionale dhe brenda familjes. Ky projekt shpresoj do të shërbejë  në edukimin e gjeneratave të reja mbi historinë dhe vlerat e shoqërisë sonë falë kontributit të grave./ KultPlus.com

Të ngjajshme