9 Qershor, 2025 - 1:38 pm
Të apasionuarit pas kulturës dhe artit, tashmë kanë edhe një tjetër aplikacion të ri të quajtur Almanart Events. Bëhet fjalë për një platformë të re kulturore që synon të lidhë publikun me ngjarjet artistike në Shqipëri.
Promovimi i kësaj platforme të re kulturore u bë në mjediset e KUB Francë në Tiranë (pranë Piramidës) dhe u zhvillua në kuadër të programit Challenge Fund, me pjesëmarrjen e ambasadorit të Suedisë në Shqipëri, Niklas Ström dhe përfaqësuesve të Partners Albania, duke theksuar mbështetjen ndërkombëtare për inovacionin në sektorin kulturor.
Prezantimi i aplikacionit u prit me interes nga publiku i pranishëm, që përfshinte aktorë të skenës kulturore, përfaqësues të startup-eve shqiptare e dashamirës të artit.
Ky projekt zbatohet në Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Inovacionit (MEKI). Almanart ishte një nga startup fituese të konkursit “Challenge Fund” e mbështetur nga “EU for Innovation”.
Almanart Events është një aplikacion ku gjenden informacione të ndryshme mbi eventet kulturore si shfaqje teatri, filma, festivale, koncerte, ekspozita, thirrje për projekte apo dhe jeta e natës. Fokusi i platformës është rritja e vizibilitetit të industrisë kreative, duke treguar rëndësinë e marrjes së informacioneve për publikun, për artdashësit vendas apo turistët e ndryshëm./atsh/KultPlus.com