Alpinistja Uta Ibrahimi arrin në majën e malit të Dhaulagirit, i shtatë më i lartë në të gjithë botën

18 Maj, 2023 - 3:24 pm

Alpinistja e njohur Uta Ibrahimi ka shndërruar në realitet një tjetër ëndërr të sajën. Sfidat e saj janë kthyer në triumf pasi ajo ka arritur në majën e shpellës së erërave – majën e malit të Dhaulagirit, shkruan KultPlus.

E mbështjellur nga mjegulla dhe veçantia e malit të shtatë më të lartë në tokë, Uta Ibrahimi edhe njëherë na ka treguar se nuk ka asnjë kufi për shpirtin aventurist.

Lajmi është bërë i ditur në faqen e saj Utalaya duke u shprehur se ky sukses vjen pas tre vitesh dhe dy tentativave të vështira të Utes.

“Ky mal i shkëlqyer është njohur si mali i shtatë më i lartë në të gjithë botën, me një lartësi të frikshme prej 8167 metrash. Sot, në orën 5:30 të mëngjesit, sipas orës së vendit në Nepal, Uta ka triumfuar në majën e malit. Kjo është thjesht një arritje e jashtëzakonshme. Le të shprehim nderimet tona dhe të falënderojmë Uta Ibrahimi për vullnetin, guximin dhe përkushtimin e saj të palëkundur”, shkruhet në njoftim.

Me arritjen e saj në majën më të lartë të Dhaulagirit, Uta Ibrahimi na tregon se asgjë nuk është e pamundur kur ndjekim ëndrrat tona me vendosmëri dhe përpjekje të palodhshme.

Ajo tashmë është një simbol i forcës dhe frymëzimit për gjithë gratë dhe burrat në të gjithë botën, të cilët mundohen të tejkalojnë çdo vështirësi dhe të arrijnë lartësinë më të lartë të ëndrrave të tyre. / KultPlus.com

Të ngjajshme