12 Qershor, 2025 - 11:08 am
Ambasada amerikane në Kosovë, duke përkujtuar 12 Qershorin, ditën kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë, tha se kjo ngjarje përbën një pikë kthese që shtroi rrugën drejt paqes dhe mundësoi kthimin e familjeve të zhvendosura.
Ambasada nderoi qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës dhe angazhimin e përbashkët për një të ardhme në paqe e siguri.
“Sot bëhen 26 vjet që kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë, duke sjellë shpresë, siguri dhe një rrugë drejt paqes. 12 qershori 1999 ishte një pikë kthese – ajo që lejoi familjet e zhvendosura të ktheheshin dhe komunitetet të fillonin rindërtimin. Në këtë përvjetor, ne nderojmë qëndrueshmërinë e popullit kosovar dhe përkushtimin tonë të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme të bazuar në paqe, siguri dhe prosperitet”.
Më 12 qershor 1999, pas përfundimit të fushatës ajrore, forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO, KFOR, hynë në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës./ KultPlus.com